Leksioni në UET: Ja sfidat e arsimit të lartë në shekullin e 21-të

Drejtuesja e Programeve Master në Gonzaga University, PhD Mirjeta Beqiri zhvillon një leksion të hapur në UET

Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar një leksion informues, me drejtuesen e Programeve Master në Gonzaga University, PhD Mirjeta Beqiri. Në leksion është bashkëbiseduar rreth programeve Master, kurseve online, avantazheve që ka ndjekja e tyre dhe metodave të vlerësimit për shërbimet e ofruara si rezultat i studimeve që PhD Mirjeta Beqiri ka bërë në 2009, 2016 dhe së fundmi, në 2018.
Në përfundim të takimit, këshilla që përcolli për studentët e orientuar drejt tregut global, cilëson punën e vështirë që i pret por edhe mundësitë e mëdha që të jep Network-u dhe bashkëpunimi i universitetit me bizneset e mëdha, ku vlerëson bashkëpunimin e UET me bizneset. Në një intervistë për Suplementin Mapo Universitet, PhD Mirjeta Beqiri, flet më tepër në lidhje me sfidat dhe të ardhmen e arsimit të lartë jo vetëm në Shqipëri por edhe në një kontekst më të gjerë.



– Cilat janë disa nga sfidat më të rëndësishme që paraqet aktualisht arsimi i lartë në Shqipëri, në këndvështrimin tuaj?

U bënë tashmë më shumë se dy dekada që veprimtaria ime akademike, si në punën kërkimore e botimet shkencore, ashtu edhe në mësimdhënie, në lëmin e Administrim Biznesit, zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, megjithëse unë përpiqem të informohem e të mbaj lidhje të vijueshme me arsimin universitar në Shqipëri, duhet thënë se është e pamundur ta njoh mjaftueshmërisht e gjithanshmërisht realitetin e arsimit të lartë shqiptar — pa dyshim jo aq thellë sa kolegët e mi që ndeshen drejtpërsëdrejti me sfidat dhe problematikat e arsimit shqiptar vijimisht e në mënyrë konkrete.

Megjithatë duke gjykuar nga përvoja ime e konsiderueshme në Shqipëri veçanërisht në vitet e fundit, si dhe duke u nisur nga bashkëbisedimet me kolegë të mi të nderuar këtu, kuptoj se zanafillën e sfidave më të spikatura me të cilat ndeshet arsimi i lartë në Shqipëri mund ta përmbledhim si vijon: cilësia me të cilën studentët pranohen në universitet, mungesa e bazës materiale dhe shkencore që shkollat e larta ofrojnë për këta studentë, si edhe mungesa e bazës shkencore për pedagogët. Nëse pranojmë se këto janë tri shtylla përcaktuese ku mund ta mbështesim vlerësimin e stadit aktual, unë konstatoj se pikësëpari, është e nevojshme të rriten përpjekjet për të vendosur kritere shumë më rigoroze të pranimit në nivel universitar e sidomos në nivel pasuniversitar. Vetëm kritere të tilla do të bëjnë të mundur që ndër të tjera, të përgatiten kushtet për diskutime kuptimplote, më të thella, të ndërsjella e gjithëpërfshirëse pedagog-studentë nëpër auditorë. Së dyti, sa i takon bazës materiale e shkencore, vërej se ka mungesa, madje deri edhe mungesa të teksteve në gjuhën shqipe në disa fusha apo mungesa të laboratorëve bashkëkohorë dhe akses në biblioteka online. Edhe pse literatura në gjuhën angleze mund të jetë motivuese për ata studentë që e njohin relativisht mirë anglishten, për të tjerë anglishtja mund të jetë një vështirësi më shumë e jo fort e lehtë për t’u përballuar. Së treti, sa i takon bazës shkencore, personeli pedagogjik ndeshet me sfida të panumërta. Mjafton të vëmë në dukje se shumica e tyre as që kanë akses në literaturën bashkëkohore përmes rrjeteve të bibliotekave online, kusht ky krejt themelor për mësimdhënie apo punë kërkimore. E megjithatë, përpjekje të vazhdueshme po bëhen në këtë drejtim dhe ka shpresa. Ditët e fundit mora pjesë në konferencën shkencore të organizuar nga Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit të Shkodrës dhe më la mbresa shumë të mira niveli i temave në sesionin ku unë mora pjesë. Sipas mendimit tim, nëse synojmë ta ngremë më lart nivelin e arsimit të lartë shqiptar, prioritet i rangut të parë është që të punojmë fort për të gjetur fonde, mënyra financimi dhe forma bashkëpunimi ndërmjet Universiteteve shqiptare dhe Universiteteve Perëndimore për t’iu mundësuar akses të mjaftueshëm pedagogëve dhe studentëve në dijet dhe literaturën bashkëkohore. Ndërsa jam e ndërgjegjshme se ka dhe sfida të tjera, unë doja të nënvizoja sfidat e lartpërmendura.

– A është e nevojshme në ditët e sotme, ndjekja e një masteri apo kurset online dhe trajnimet e ndryshme mjaftojnë për të plotësuar njohuritë dhe përmirësuar kompetencat që kërkon tregu?

Thellimi dhe zgjerimi i dijeve, veç të mira i sjell mendjes, individit, shoqërisë, vendit. Një mendje e stërvitur në palestrën e dijes formëson dhe kalit aftësitë që nevojiten për t’iu përgjigjur nevojave të zhvillimit. Natyrisht që një gradë Master ka avantazhe për individin dhe shoqërinë. Por nga ana tjetër, vendimi vetjak për t’i avancuar studimet duke kryer nivelin Master varet doemos nga qëllimet personale dhe kostoja. Masteri vërtet i pajis studentët me një diapazon të gjerë dijesh në një fushë të caktuar, por në të njëjtën kohë është investim me kosto të lartë, i cili në vendet perëndimore priret të rritet nga viti në vit. Shumë studentëve iu duhen vite të shlyejnë kreditë, pa të cilat do ta kishin ndoshta të pamundur të kryenin studimet e nivelit universitar apo Master.

Në një nivel më praktik, mendoj se nuk ka vetëm një mënyrë për të përmbushur nevojat për dije. Një vendi si Shqipëria i duhen në radhë të parë specialistë të zotë, si për shembull punonjës bankash, specialistë e teknikë në fushë të prodhimeve e shërbimeve. Pra, nuk na duhet doemos vetëm arsim pasuniversitar. Ndoshta edhe më i rëndësishëm ose po aq i rëndësishëm për vendin është forcimi i arsimit universitar dhe arsimit të mesëm me profil teknik si dhe arsimit kolegjor dyvjeçar. Gjithsesi, unë mendoj dhe rekomandoj se për kushtet e Shqipërisë kurset apo trajnimet online janë një opsion i mirë për të rifreskuar dijet, thelluar e përsosur aftësitë me vlerë praktike, apo për të marrë njohuri të reja bashkëkohore.

– Cilat janë disa nga degët më me perspektivë në tregun e punës? A vlejnë të njëjtat trende për Shqipërinë, si për Amerikën?

Përveç Masterit tradicional në Administrim Biznes (MBA), sot janë po aq të kërkuar dhe prevalente edhe një sërë tipash të tjerë Masteri, sikurse Master në Financë, Master në Kontabilitet, Master në Metodat dhe Mënyrat e Taksimit, Master në Analitikë Biznesi (ose Analitikë të Dhënash), Master në Drejtim Projektesh, Master në Informatikë Ekonomike, Master në Entrepreneurship, sa për të përmendur disa prej tyre. Sipas mendimit tim, shumica e këtyre specializimeve mund të aplikohen dhe në kushtet e Shqipërisë.

– Në një botë teknologjike ku Globalizmi është shumë i prekshëm, sa e mundur është për një student shqiptar që të përshtatet për një karrierë ndërkombëtare?

Mendoj se Universitetet shqiptare e veçanërisht Fakultetet e Biznesit, pavarësisht sfidave të lartpërmendura kanë potencial të përgatisin studentë me njohuri solide; nuk mungojnë studentë shqiptarë që dallohen për disiplinë pune e dëshirë të madhe për të mësuar, të cilët janë të aftë të konkurrojnë në sferën ndërkombëtare me sukses. Shumica e diplomave të universiteteve shqiptare në fushën e Biznesit (p.sh. Universiteti i Tiranës, Universiteti i Shkodrës, UET etj.), pranohen në Universitetet amerikane. Megjithatë sfida më e madhe, gjykoj se lidhet me faktin se ndërsa niveli universitar në Shqipëri (në Shkollën e Biznesit) është tre vjet, për të vazhduar një Master në Administrim Biznesi apo fushë të ngjashme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një student(e) duhet të ketë mbaruar katër vite. E them me krenari se kemi shumë studentë shqiptarë që na përfaqësojnë me plot dinjitet në rrafshe ndërkombëtare – por a do të mundej çdo student shqiptar i formuar në arsimin e lartë shqiptar të hynte në tregun e huaj të punës, të përshtatej e t’ia dilte me sukses një karriere ndërkombëtare? Kjo pyetje i përket një diskutimi më vete dhe lidhet me një nga sfidat e lartpërmendura.

– Universitetit Europian i Tiranës shpesh iu referohet metodave më të mira të mësimdhënies, atyre anglosaksone. Në këtë kontekst, çfarë mund të përmirësojnë universitetet në ofertën e tyre për studentët?

Në ditët e sotme, detyra e Universitetit kalon përtej thjesht edukimit të studentëve me njohuritë në fushat përkatëse. Universitetet duhet të mbështesin me prioritet zhvillimin profesional të studentëve. Për shembull, universitetet shqiptare mund të investojnë në hapjen e Qendrave të Zhvillimit të Karrierës Profesionale, të cilat u shërbejnë studentëve duke i udhëzuar si të krijojnë CV profesionale, duke i përgatitur e trajnuar që të zhvillojnë intervista të suksesshme pune (papunësia e studentëve që mbarojnë studimet e larta duket alarmuese), duke iu mundësuar TREK-s, ku studentët vizitojnë kompani të ndryshme biznesi apo duke i ndihmuar të krijojnë e mirëmbajtur lidhje me ish-studentë të UET-së (apo universitetit përkatës), që aktualisht e zhvillojnë karrierën e tyre profesionale në fushën ku studentët janë të interesuar. Të gjitha këto mund të lehtësojnë e përshpejtojnë punësimin e studentëve. Së dyti, ofrimi i internship-eve (ose stazheve të shkurtra pranë kompanive të biznesit), ku studentët punojnë në profilin e tyre, bën të mundur që jo vetëm studentët të sjellin në auditorë praktikë të mirëfilltë pune, por edhe rrit ndjeshëm mundësinë për punësim. Forcimi i lidhjeve me komunitetin e biznesit si dhe përdorimi i “experiential learning” (dijësimi mbi bazën e përvojës konkrete) si formë mësimdhënieje, ku studentët aplikojnë drejtpërdrejt atë çka mësojnë, njëherazi duke ndihmuar komunitetin, është një tjetër praktikë e njohur që vlen të ndiqet. Së fundi, brenda mundësive, ofrimi i shumë materialeve online, videove, bashkëbisedimeve në rrjet etj., do të krijonte për studentë mundësi akoma më të mëdha për mësimdhënie efikase.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252