Nga Ervis Iljazaj
Lirimi i Saimir Tahirit me shumë mundësi është një vendim i cili është i ndikuar. Teorikisht, ekziston mundësia që ai të jetë dhe një vendim i drejtë, por këtë mund ta thonë vetëm ekspertët e drejtësisë.
E megjithatë, duke njohur kontekstin ku është zhvillohet ky proces, ngjarjet që i kanë paraprirë atij, të gjitha rrugët të çojnë te një vendim, që është marrë nën presion dhe nën ndikim. Jo vetëm për faktin se këtë gjë e deklaroi publikisht Ambasadori Lu, por për një arsye shumë më të thjeshtë.
Gjykata që dha vendimin për lirimin e Tahirit, është e njëjta drejtësi, me të njëjtat tipare të 25 viteve të tranzicionit shqiptar. Një drejtësi e kalbur dhe e kapur nga sistemi politik, nga çdo sistem që ka kaluar mbi të.
Gjyqtarët që dhanë vendimin, janë gjyqtarë që as kanë kaluar procesin e vettingut dhe as janë futur në procesin e Reformës në Drejtësi.
Prandaj, idetë se Reforma në Drejtësi ka dështuar janë ide absurde. Reforma në Drejtësi ende nuk ka përfunduar, ende nuk ka përfunduar i gjithë procesi i vettingut dhe të jenë ndërtuar organet e reja të saj.
E vërteta është një tjetër. Që Reforma në Drejtësi, nuk ka përfunduar ende për arsye se, politika shqiptare ka bërë të pamundurën për ta penguar dhe vonuar atë, dhe faktet flasin hapur për këtë gjë.
Kjo Reformë, tashmë është një proces i pakthyeshëm, me gjitha përpjekjet për ta ndaluar atë. Ashtu sikurse është i pakthyeshëm procesi hetimor ndaj Saimir Tahirit. Edhe pse vendimi i fundit i dha lirimin, ende nuk ka një vendim përfundimtar për fajësinë apo për pafajësinë. Kështu që, i gjithë procesi ndaj tij mbetet ende për t’u parë në ditët në vijim.
Sepse, procesi i hetimit ndaj Saimir Tahirit, ishte një proces që arriti deri në këtë pikë, falë insistimit të aleatëve ndërkombëtarë. Po të ishte për politikën dhe drejtësinë shqiptare, ndaj Saimir Tahirit, nuk do të hapej asnjëherë asnjë hetim.
Për këtë arsye, çdo tentativë për të mbyllur çështjet e rëndësishme penale, është një tentativë e cila do të izolojë Shqipërinë nga aleatët e saj. Nëse do të fitojë interesi politik i brendshëm, apo interesi i qytetarëve shqiptarë, këtë e kanë në dorë aktorët politikë.
Për të gjitha këto arsye, vendimi për lirimin e Tahirit, ka të gjitha elementet për të menduar se është një vendim i marrë nën presion apo me ndikime me mënyra nga më të ndryshmet. Sepse, dihet botërisht që, politika shqiptare është kundër drejtësisë dhe Reformës së saj.
Se kush ka ndikuar në këtë vendim, vetë Tahiri, mazhoranca, Kryeministri apo të tretë të interesuar këtë askush nuk mund ta thotë me saktësi. Ndoshta, Ambasadori Lu do të na ndihmonte në këtë drejtim, duke qenë se ka informacione më të besueshme se kushdo. Deri sa nuk ka folur ende, të gjitha opinionet mbeten hipoteza për t’u vërtetuar.
Ajo që duhet theksuar në të gjithë këtë histori, është fakti se, e gjithë drejtësia e 25 viteve të tranzicionit shqiptar, është një drejtësi totalisht e kalbur. Një drejtësi e cila deri më tani nuk ka patur kurajën të dënojë asnjë pushtetar të rëndësishëm, me gjithë aferat korruptive të dukshme të saj.
Kështu që, e vetmja shpresë, përtej çdo anatemimi që i bëhet, është zbatueshmëria e Reformës në Drejtësi. Kush mendonte që procesi i vettingut është tepër i ashpër, ja ku e ka provën që duhet edhe më i ashpër.
Është kënaqësi e madhe kur Rrilindja bën ligje, por është edhe më e madhe kënaqësia , kur i shkel ato me të katër këmbët. Dhe pastaj i thua botës se drejtësia është e reformuar, e vetinguar dhe e mbaruar si e “pavarur” tek ne. Por , i gjati nuk e di se atje ku nuk ka drejtësi , nuk ka as paqe.Ai, i mjeri nuk e di se duke mos dënuar një kriminel, nxit dhe përkrah krimin, mafien, drogën dhe çdo pisllek tjetër. Po notojmë në detin e përrallave me peshq të ngordhur. Ndoshta edhe peshkatari e kuptoi dhe po bën gati valixhet që kur të udhëtojë larg vendit tonë, do të tregojë përralla me ” peshq të mëdhenj”që nuk u kapën, duke menduar se nga frika ngordhën dhe kështu padrejtësisë i zgjatet jeta. Pra , mbetëm po aq budallenj siç kemi qënë 3 dekada më parë. Shpresoni dhe ëndrroni! Nga gjumi mos u zgjoni!