Luan Topçiu: Hamleti, personazhi më i vërtetë në historinë e letërsisë botërore

Luan Topçiu është një personazh i njohur në letrat shqipe si kritik, studiues letrar, profesor universitar, përkthyes apo diplomat. Me një kontribut në njohjen e kulturës rumune, për vetë angazhimin diplomatik që ka në këtë vend, ai ka botuar sërë librash në shqip e rumanisht si: “Ndjenja e mallit tek / Sentimentul dorului la/ Asdreni, Poradeci, Kuteli”, Fed, Bukuresht 1999; “Tekstualizëm dhe stil” (mbi poezinë e Lasgush Poradecit), Getic, Bukuresht 2000; “Përmasa moderne në letërsinë shqiptare”, Flaka, Shkup 2001; “Paradigmele dorului in poezia romana si albaneza”, Editura Universitara, Bukuresht 2004; “Vetmia nostalgjike në poezi”, Omsca- 1, Tiranë 2005; “Oglinzi paralele/ Pasqyra letrare”, Privirea, Bukuresht 2007; “O antologjie a poezie albaneze/ Antologji e poezisë shqipe”, Privirea, Bukuresht 2007; “Tradita moderne në letrat shqipe”, Zenit, Tiranë 2010; “Morfologjia e shpirtit”, “Ombra GVG”. Më poshtë Topçiu vjen me në një intervistë për MapoLetrare mbi librat e zemrës.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër? 



Libri i shkruar me inteligjencë është libri im i preferuar, i cili mund të jetë prozë, poezi, kritikë letrare, eseistikë, filozofi, psikologji, studim mbi pikturën, arkitekturën. Libra që kam për zemër janë me dhjetëra, duke filluar nga Thomas Mann Mali magjik”, Ernesto Sabato “Mbi heronjtë dhe varret”, Franz Kafka – “Procesi”, Gabriel Garsia Marquez “Dashuri në kohën e kolerës”, Kadare – “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Mihail Bulgakov – “Mjeshtri dhe Margarita”, Albert Camus “I huaji”, etj.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Që të gaboj sa më pak, sepse është tejet e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, po përmend romanin e parë modern europian që është “Don Kishoti i Mançes” i Cervantes-it. Romani është një parabolë e ekzistencës, një dëshmi pasionale e melankolisë njerëzore, një mit i dyfishtë i impaktit që kanë iluzionet ndaj realitetit. “Don Kishoti i Mançes” mbetet një nga shëmbëlltyrat e epërme të rrëfimit, e magjisë së rrëfimit, e natyrshmërisë së narracionit. Me siguri, Cervantes ka dashur të rrëfejë  aventurat e një shpirti melankolik, por gjenialiteti i tij prej shkrimtari ia mbërriti të pikturojë një nga personazhet më piktoreskë të historisë së artit dhe letërsisë, arriti të vizatojë një personazh bipolar, nga njëra anë të përbuzur, të tallur, të përqeshur, të rrahur, por, nga ana tjetër mbetet personazhi që arrin të imponohet para syve tanë me heroizmin ngadhënimtar dhe emocionues, me konsekuencën dhe kryeneçësinë e tij, duke na bërë të lotojmë në kulmin e të qeshurave, të qeshim bash në mes të pikëllimit.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Jorge Luis Borges, “Libri prej rere”, Anton Cehov “Murgu i zi”, “Salloni nr. 6”; tregimet e E. Emingwey, O. Henry etj.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Amos Oz, Ismail Kadare, António Lobo Antunes, Pascal Quignard, Elif Shafak, Haruki Murakami, Simon Sebag Montefiore, Michel Houellebecq, Nassim Nicholas Taleb, David Markson, Jean Echenoz, Viktor Pelevin, Emmanuel Carrère, Don DeLillo, David Graeber, Visar Zhiti, Gazmend Kapllani, Luljeta Lleshanakun  etj

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Eseistikë, studime kritike, romane dhe poezi, kritikë arti, psikologji, lexoj më pak drama.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Libra për kopshtarinë.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Hamleti, veçanërisht në raport me të vërtetën. Hamleti është personazhi më dilematik dhe më i vërtetë në historinë e letërsisë botërore.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Besoj se librat e parë nuk i kam lexuar, por mi kanë lexuar me zë prindërit. Më kujtohen, kur më lexonin me zë “Tregime të moçme shqiptare” të Mitrush Kuteli-t. Më pas, më ka tërhequr së tejmi eposi homerik, Iliada dhe Odisea (disa botime për fëmijë), më pas kam zbuluar Mark Twain-in me: „Aventurat e Tom Sawyer-it”, Petro Marko „Shpella e piratëve”, Daniel Defoe: „Robinson Crusoe”, Konti i Monte Kristos i Alexander Dumas etj. e më vonë kam zbuluar Turgenjevin,  Mihail Sholohov, „Don i qetë”, V. Hugo „Njeriu që qesh”. etj

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Të kërkoje të lexoje diçka, që ishte e ndaluar në kohën e komunizmit, i hyje një aventure dhe ekspozoheshe para një rreziku. Ose lexonim botimet e autorëve të ndaluar, të botuar në Prishtinë, ose përkthime të shkruara me dorë apo në makinë shkrimi, që duhet t’i lexonim për një natë, apo për një ditë. Shpesh burimi nga vinin as që dihej e as mësohej. Kur isha nxënës në Liceun Artistik në Tiranë, kopjonim me dorë poezi apo fragmente nga proza që lexonim fshehurazi.

Në këto kushte kam lexuar poezinë e përkhyer të shekullit të XX si Paul Eloird, Jacques Prévert, Paul Verlaine, Charles Baudelaire, Federico Garcia Lorca, Arthur Rimbaud, Franz Kafka, Sholohov. Në kohën e diktaturës, qysh herët mësuam se ka libra të ndaluar dhe libra që kishim leje që t’i lexonim. Libra që prindërit i fshihnin, duke u vënë kopertina të tjera, libra të periudhës së Zogut, literaturë e shkruar nga autorë që ishin të burgosur, autorë të huaj të ndaluar etj.

Më kujtohet se në vitin 1990, kur ndiqja një kurs pasuniversitar për gjuhësi në Universitetin e Tiranës, për të marrë një libër të Eqrem Çabej-t nga biblioteka e fakultetit, duhet të merrja një miratim nga dekani i fakultetit, sepse ishte botim i Prishtinës. Një çmenduri dhe absurditet i pastër, që në atë sistem quhej diçka normale.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Nuk besoj se është vetëm një i tillë.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Është vështirë të flasësh për librat e tu. Zakonisht mendon se libri më i mirë është ai që ke botuar të fundit. Do të veçoja “Morfologjia e shpirtit”, Ombra GVG, Tiranë 2017, i cili është një libër me gjashtë sprova për brendinë e njeriut dhe me një parathënie të gjatë mbi shpirtin, me shpirtëzim të teksteve poetike, mitologjisë, gravurave dhe tablove të mirënjohura të artit botëror, por dhe hedhja dritë në bodrumin e qenies. Për vetë natyrën e librit, vështirësinë e tij, duke qenë letërsi si sprovë, filozofi, mitologji, shkencë, psikologji, psikanalizë, koha e dokumentimit dhe e shkrimit ka zgjatur më shumë se tek librat e tjerë. E rëndësishme është që librat të jenë të dobishëm, jo patjetërsisht të shitshëm. Në qoftë se librat e mi ndihmojnë në studimin e letërsisë është një fakt që më shkakton kënaqësi dhe që më motivon që të shkruaj, sepse, po ta trajtonim problemin në një rrafsh më të gjerë, librat me studime kanë gjithmonë e më pak lexues. Kjo gjë lidhet me një krizë të sistemit të vlerave në shoqërinë e sotme. Dukuria, sigurisht, nuk është vetëm shqiptare, por, siç ndodh gjithçka tjetër në vendin tonë, fenomeni është më i dhunshëm dhe me manifestime provincializmi më të theksuara.

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Që t’i sugjerosh dikujt se çfarë duhet të lexojë, duhet të dish se çfarë ka lexuar dhe çfarë nuk ka lexuar.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Ernesto Sabato, Kafka, Kadare

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Fatkeqësish janë shumë libra jo të mirë dhe të mbivlerësuar. Madje jepen çmime për libra që nuk mund të përfundosh së lexuari as një faqe të vetme. Në Shqipëri, por dhe në Rumani, ku jetoj për shumë vite, ndodh që të zhvillohet ai që quhet transferim të notorietetit. Me fjalë të tjera, një politikan, një aktor i mirënjohur, një moderator televizioni, duan të shndërrohen në “yje” të letërsisë. Duan të zënë me forcë hapësirën që u takon shkrimtarëve. Por fakti që je publikisht i njohur, nuk do të thotë se, automatikisht, je edhe shkrimtar i njohur. Kësi librash të mbushura me tam-tame të shtypit dhe të medias, i kam nisur t’i lexoj dhe i kam lënë shpejt. Më mirë flasim për dukurinë, sesa për emra e tituj librash. Liria për të botuar ka sjellë, përpos përparësive, dhe një pështjellim të sistemit të vlerave.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Mbase Stefan Zweig.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Librat që i konsideroj të profesionit dhe që kam nevojë gjithmonë për to janë librat me autorë Roland Barthes, Jacques Derrida, Gilles Deleuze, por dhe për kënaqësi estetike, që iu rikthehem, janë Dostoievski, Kafka dhe Soren Kierkegaard.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Janë shumë libra që do të doja t’i lexoja, por një jetë njerëzore është e pamjaftueshme për ta bërë këtë. (Fatkeqësisht janë shumë…) Përpos faktit që kam ende libra që nuk kam mundur t’i lexoj deri në këtë moment, janë dhe shumë kryevepra botërore që do të doja t’i rilexoja pas vitesh. Sa më shumë kalojnë vitet, realizon që leximi i gjithçkaje është një bast i humbur me vetveten. Librat i zgjedh vetë, kam një intuitë që më ndihmon, por marr në konsideratë edhe rekomandimet e miqve të mij, të cilëve iu besoj.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Lëçitja dhe shkrimi janë mënyra ime e të jetuarit. Këto janë gjithçka që mendoj se më duhet, gjithçka që vlen dhe më shkakton kënaqësi estetike. Fatkeqësisht nuk më premton koha që të lexoja aq sa do të dëshiroja.  Leximi mbetet ushtrimi më tërheqës që ndodh në jetën time sot.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252