Humori për shqiptarët shpesh mbetet argëtimi i vetëm në ato ditë, ku zymtisë së kohës i pllakoset edhe ajo e problematikave të mëdha të jetës së përditshme. Një ndër aktorët më të pëlqyer të kësaj disipline është edhe Visjan Ukcenaj, i cili me talentin e tij ka arritur të bëhet pjesë e pandashme e ekranit të televizionit ‘Klan’, çdo të shtunë në programin ‘Duplex’. Pavarësisht zhgënjimeve dhe pengesave të hasura në rrugën e tij drejt suksesit, aktori me origjinë nga Puka, ia ka dalë t’i kthejë vështirësitë në forcë, duke u përcjellë të gjithë të rinjve një mesazh të fortë për të mos hequr kurrë dorë nga dëshirat, ëndrrat dhe pasionet, sepse bota i përket atij që guxon.
Bisedoi: Antonela Bregu
Natyrshmëria me të cilën përcillet humori juaj vlerësohet shumë nga publiku. Kur e keni kuptuar se gëzonit talent në aktrim dhe kishit sens humori?
Sens humori mund të ketë çdo njeri. Sensi i humorit është element i pranishëm te kushdo. Aktrimi është komplet diçka tjetër. Në fillim ka qenë si një lojë për t’u larguar nga mësimi dhe për të marrë pjesë në evente artistike. Më pas u bë nevojë dhe ndjesi e fortë, derisa sa e kuptova realisht që isha i talentuar për këtë punë kur isha në Akademi.
Mund të na rrëfeni një situatë kur keni patur pritshmëri, lidhur me karrierën tuaj, por jeni zhgënjyer?
Me thënë të drejtën në karrierë kam qenë shumë me fat, por mund të them që filmi shqiptar më ka zhgënjyer shumë shpesh me audicionet fiktive, me klientelizmat dhe miqësitë e vogla.
Çfarë e bën një aktor të jetë i suksesshëm sipas jush? Cila është këshilla që i përcillni aktorëve të rinj?
Nuk e di çelësin e suksesit, por mund të them eksperiencën time. Unë kam punuar shumë, kam qenë vetvetja, nuk jam shtirur dhe nuk kam kopjuar të tjerë. Kjo është shumë e rëndësishme.
Të qenët pjesë e “Apartamenti 2xl” dhe ‘Duplex’ kërkon improvizim të momentit. Ku konsistojnë provat paraprake për shfaqjen? A keni emocione duke mos ditur situatat që ju jepen nga Turi?
Emocionet janë gjithmonë pjesë e shfaqjes, pa to nuk ka bukuri. Por aktorët kryesorë të shfaqjes janë të gjithë të shkolluar dhe me eksperiencë dhe kjo domosdoshmërisht ul dozën e të papriturave të pakëndshme, kurse improvizimi e zbukuron atë.
Cilat janë pasionet tuaja dhe a gjeni kohë për to?
Pasionet e mia janë fotografia dhe filmat. Fotografinë e kam pasion dhe më pëlqen të fotografoj. Jam fans i aparateve fotografike, kam një të ri që sapo e kam blerë. Ndërsa filmat, nuk bëj dot pa to, sidomos filmat fiction dhe hapësinor i dua shumë.
Prej disa muajsh keni marrë statusin e babait, si e ndjeni veten në aspektin e emocioneve dhe përgjegjësive?
Nëse jeta ka diçka që të të bëjë ta duash atë pavarësisht kombësisë, gjendjes sociale apo financiare, ai është fëmija. Fëmija im më ka ndryshuar gjithçka. Djali i ka dhënë kuptim jetës sonë. Çdo gjë që kam bërë në jetë, mori vlerë kur lindi im bir. Përgjegjësitë janë të mëdha dhe më trembin ndonjëherë, sepse duhet të bëj çdo gjë që t’i plotësoj kërkesat, nevojat dhe ta edukoj siç duhet tim bir.
A është Visjani tipi i personit që planifikon apo e merr jetën si t’i vijë?
Të jem i sinqertë, nuk planifikoj pothuajse fare. Jam shumë spontan dhe gjithashtu improvizues në përditshmëri më pëlqen të bëj surpriza dhe madje të surprizoj dhe veten me vendime të papritura.
Cili është parimi juaj në punë?
Serioziteti dhe inovacioni pa dyshim. Dhe sigurisht korrektësia.
Kasti i “Duplex” duket të jetë i pandarë, çfarë ju mban kaq të lidhur bashkë?
Për fatin tonë të mirë, kemi një marrëdhënie shoqërore të ngushtë me njëri-tjetrin dhe për këtë jemi të gjithë të lumtur. Një format i tillë kërkon një grup kompakt.
Profesioni juaj ju kushtëzon edhe kontakte edhe situata me femra, si e pret këtë bashkëshortja juaj?
Në fakt udhëtimi im drejt famës ka qenë gradual dhe e kemi kaluar bashkë me Jonën. Ajo është e së njëjtës fushë ndaj ajo e di mirë këtë gjë që të imponon profesioni.
Cili është pengu më i madh i Visjan Ukcenajt?
Pengu më i madh i jetës sime është fakti mizor që kurrë nuk gjeta dot 100 mijë euro në rrugë.