Sepse erosi nuk është thjesht eros. Në vargjet e Rita Petros, ai vjen si një formë përmes së cilës përsosemi, apo ndërgjegjësohemi. Një udhëtim nga njeriu përmes njeriut, të cilën poetja e bën të duket si i yti teksa e lexon. Një ndër librat e saj më të lexuar është përmbledhja poetike “Vrima”. ”Një kronologji e jetës së individit dhe më tej e jetës kozmike nga lindja ku nëpërmjet elektrokardiogramës, vija e drejtë fillon të japë impulse e para për të arritur kulmin në ekstazë, dhe më pas për t’u rikthyer përsëri në vijë të drejtë. Ky libër është shkruar siç e them edhe në vargjet e mia, duke e mbajtur trurin në duart e mia larë në gjak. Dilema e gjithë librit është: A mendojmë dot me trurin jashtë?”, thotë Rita. Më poshtë poetja vjen në një rrëfim për librat e zemrës.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
“Don Kishoti”, sepse u bë themeli i prozës së mëvonshme me strukturën e tij perfekte romanore. Nga ana tjetër, me donkishotizmin Servantesi na tregoi se ëndrra romantike e njeriut për kthimin prapa, do të jetë po aq e përjetshme sa ëndrra e tij futuriste për të ecur para. Kjo e bën këtë roman të papërsëritshëm; një vepër që komunikon me të gjithë njerëzit (pavarësisht intelektit, moshës, gjinisë, besimit) dhe me të gjitha kohërat.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Mitet e të gjitha kulturave… prej këtyre historive të shkurtra lindi arti i mëvonshëm. Aty janë të gjitha: besimi, shkenca, feja, filozofia; aty të gjithë shkrimtarët dhe artistët e të gjitha kohërave gjetën njeriun me të gjitha misteret e tij, ëndrrat, fantazinë, naivitetin, perversitetin, hakmarrjen, urrejtjen dhe dashurinë, e mbi të gjitha, ambicien për të dalë mbi zotat. I njëjti është dhe sot njeriu.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Janë shumë dhe mendoj se nuk ia vlen t’i përmend. Lexoj shumë autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha këto zhanre që përmendni. Marr kënaqësi dhe nga ata krijues që nuk kanë ndonjë emër të madh, por kur gjej ndonjë perlë te ata kënaqem. Letërsia apo Eseistika nuk është pronë e askujt dhe ndonjëherë këto listat janë përjashtuese e reklamuese madje dhe për libra mjaft të dobët. Por sigurisht nuk jam kategorikisht kundër listave, pasi ato tregojnë sa të besueshëm apo të pabesueshëm jemi te lexuesi.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
Më të pëlqyerat janë poezia dhe eseistika. Nuk lexoj romanet sentimentale.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Bibla dhe Kurani, ngjitur me njëri-tjetrin… më frymëzojnë secili me mënyrën e vet.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Dikur ka qenë Maro përhitura (kështu e quante halla ime, kur më tregonte përrallën); më pëlqente sidomos dashamirësia dhe zemërgjerësia e saj ndaj të motrave që silleshin keq me të, por sidomos momenti kur zhdukej në 12 të natës tek kërcente me princin; në adoleshencë u bë Helena e Trojës, edhe këtu më pëlqente momenti i rrëmbimit të saj; ndërsa më vonë u dashurova me Ana Kareninën, sidomos me atë mënyrën përndritëse të saj, e cila me këdo që takohej e bënte të binte në dashuri me të. Por ishte zhgënjyese ikja e saj kur i dha fund jetës. Virginia Woolf më ka joshur edhe si shkrimtare, por edhe si heroinë e jetës së saj të pasqyruar në libra e filma.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Kam qenë librangrënëse. Ata librat e vjetër të trashë me përralla me ndonjë figurë bardhezi nëpër faqe s’do t’i harroj kurrë. Përveç përrallave i lexoja dhe i rilexoja të gjithë klasikët për fëmijë. Shumë libra interesantë bashkëkohorë si për fëmijë ashtu dhe për të rritur nuk kishim mundësi t’i lexonim në kohën e diktaturës. Na ofroheshin libra shumë skematikë, me ilustrime akoma më skematike dhe mesazhe ideologjike. Ato s’më kanë tërhequr kurrë dhe i lexoja vetëm me detyrim. Ishte fat që u botuan shumë libra të klasikëve, pavarësisht se Tom Sojeri, Liza, Pitër Pani, Nils Holgersoni apo Pipi Çorapegjata janë fëmijë rebelë. Me siguri e nxitur nga fëmijëria vendosëm në Albas të botonim të gjithë serinë e klasikëve për fëmijë përkthyer nga origjinali. Jo se përkthimet nuk ishin të mira, përkundrazi, por vumë re se kishte mjaft censurime ideologjike gjatë përkthimit në këta libra.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Po. Na binin në dorë mjaft libra të ndaluar nga autorët modernë që i qarkullonim fshehurazi si dorëshkrime nga: Baudelaire, Poe, D’Annunzio, Ginsberg, Hemingway, Kafka, Camus, Orwell, etj. Në këto dorëshkrime nuk ishin as emrat e përkthyesve. Disa poezi të Preverit e kuptoja që ishin përkthime apo botime të Kosovës, pasi në Prishtinë mund të gjeje mjaft botime të veprave moderne që propaganda komuniste nuk i lejonte te ne. Po kështu në Prishtinë kishte dhe botime të plota të autorëve shqiptarë të Rilindjes apo të gjysmës së shek. 20 të pacensuruar, siç ndodhi në Shqipërinë komuniste me ndalimin e Fishtës dhe të autorëve të tjerë. Telash? Më kujtohet kur po qarkullonim në një orë leksioni disa faqe nga ditari i Pushkinit dhe na i kapi pedagogu. Fat që ishte mendjehapur dhe nuk na ndodhi gjë.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?
E kam thënë dhe herë tjetër…adhuroj baladat e Rock-ut… U bë revolucion jo vetëm në muzikë, por dhe në poezi; më pëlqen forca e vargut të tyre, është ulëritëse, tronditëse, të shkon drejt në tru dhe në zemër.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Unë kam shkruar rrallë dhe poezia s’ka si shkruhet ndryshe, ndaj secili libër ka sjellë një vizion të ri poetik dhe impulsi im poetik ka shkuar në rritje ku kulmin e arrin me librin “Vrima”; Është një kronologji e jetës së individit dhe më tej e jetës kozmike nga lindja ku nëpërmjet elektrokardiogramës, vija e drejtë fillon të japë impulse e para për të arritur kulmin në ekstazë, dhe më pas për t’u rikthyer përsëri në vijë të drejtë. Ky libër është shkruar siç e them edhe në vargjet e mia, duke e mbajtur trurin në duart e mia larë në gjak. Dilema e gjithë librit është: A mendojmë dot me trurin jashtë?
Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Team of Rivals , Doris Kearns Goodwin, që mbase dhe e ka lexuar, por është libër që një politikan duhet ta mbajë si bibël. Një libër që tregon aftësitë e jashtëzakonshme të Linkolnit, se si ai formoi presidencën më të rëndësishme në historinë e kombit, duke ofruar dhe kundërshtarët e tij politikë me qëllim bashkimin e kombit. Edhe ne sot po përjetojmë periudhë të vështirë kur ka ardhur koha të shkëputemi njëherë e përgjithnjë nga tranzicioni që mbahet peng prej luftës së ashpër të kundërshtarëve politikë.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Moza Ahmeti, dhe… nëse do të ishim bashkë s’do kishim nevojë për njeri tjetër. Ose pastaj do të ishim më shumë se tre, pasi kam mjaft miq të mirë të letrave që i çmoj dhe më çmojnë.
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Ngaqë botoj rrallë nuk zhgënjehem asnjëherë.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
E kam marrë kënaqësinë e të qenit personazh në romanin “Kufiri”, që e ka shkruar para disa viteve partneri im Latif Ajrullai. Ishte adrenalina e dashurisë që e shtyu atë të shkruajë roman për herë të parë në jetën e tij dhe që nuk mbetet vetëm një histori personale, por një histori dashurie mes dy shqiptarëve që jetojnë me kufi në mes dhe përveç tij kapërcejnë edhe kufij të tjerë; fizikë, familjarë, fetarë, moralë etj. Ndërsa biografinë time mund ta shkruante bukur dhe vajza ime, sepse është e matur në ndjesi, dhe shumë e lirë në gjykim.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Te librat që më ndihmojnë në punën time si poete, por dhe si autore e librave të letërsisë.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Janë aq shumë sa qetësohem vetëm kur mendoj se nuk ia vlen të ndihesh keq. Mjafton që e re kam marrë bazat e një letërsie vërtet të mirë. Jeta duhet jetuar, dhe, përpos leximit që është proces pasiv, edhe në mënyrë aktive.
Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Tani po lexoj libra të ndryshëm letërsi, filozofi, histori që më ndihmojnë në punën time si botuese. Në verë do i kthehem përsëri leximit për kënaqësi.
Krejt librat i ke te mire por me ate libran “Vrima” e ke qa me lot…
Te dua shumme..xxx