Mediat greke shkruajnë sot se vrasja e 63-vjeçarit Petrit Zifle në Korfuz është kryer nga një anëtar i Agimit të Artë.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor në Dragotina, Korfuz. Siç thonë banorë të zonës, Zifle ishte konfliktuar me fjalë një dite para vrasjes në një lokal të fshatit me autorin për çështje të karakterit etnik.
Autori i ngjarjes rezultoi pikërisht 44-vjeçari nga Korfuzi, që është anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi, madje në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat me partinë ekstremiste që kohët e fundit bën thirrje në zonë për të terrorizuar e ndjekur të huajt.
Vrasësi kishte hapur debat për jo grekët dhe për çështjen e Maqedonisë në lokal dhe aty kishte ndërhyrë dhe Zifle. Pjesëtarët e tjerë në lokal i kanë ndarë dhe autori është larguar më pas duke kërcënuar Ziflen, të cilit në Greqi i flisnin Petro. Më pas vrasësi i ka bërë pritë dhe e ka vrarë 63-vjeçarin shqiptar, trupin e të cilit e ka hedhur në një hendek, ku u gjet.
Policia sot bën të ditur se 44-vjeçari grek ka pranuar krimin për arsye banale, por nuk ka dorëzuar akoma çiften e gjahut që kishte me lejen përkatëse, e me të cilën pranoi se vrau 63-vjeçarin shqiptar.