Pas refuzimit të dekretimit të Gent Cakajt si ministër të Jashtëm dhe deklaratës për kërcënim të presidentit, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Ai shkruan në “Facebook” se Presidenti nuk mendon më as për Kushtetutën, as për dinjitetin e institucionit, po për lidershipin e opozitës!
“Ai sot ngriti flamurin e kryetarit imagjinar të opozitës në Presidencë dhe sulmoi kryeministrin me të gjithë librin e Shqupit dhe LSI-së bashkë. Fatkeqësisht ky është sot Ilir Meta, një president i votuar nga në për të përfaqësuar edhe opozitën (me votat ne dispozicion dhe pa PD ne salle, ishte e vetmja zgjedhje për të mos e çuar vendin në kaos institucional), tanimë i kthyer në kryetar alternativ opozite”, mbyllet postimi i Ballës.
Përplasja Rama-Meta ka arritur në një tjetër nivel pas refuzimit të Presidentit për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Teksa kryeministri Rama e ka cilësuar si një vendim të turpshëm dhe anti-kushtetues refuzimin e Metës për dekretimin e Cakajt si ministër të jashtëm, Presidenti ka reaguar mëngjesin e së premtes me një status tepër të ashpër ndaj kryeministrit.