Në stadiumin “Elbasan Arena” u luajt ndeshja miqësore mes Shqipërisë U19 dhe Kosovës, takim i cili u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin e ngushtë 2-1. Kjo ishte miqësorja e parë mes dy skuadrave, ndërkohë që të shtunën dy skuadrat do të jenë sërish kundër njëra-tjetrës, por në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Në minutën e 21, kuqezinjtë e drejtuar nga Erjon Bogdani kanë arritur të kalojnë në avantazh me anë të futbollistit Patrik Pasha pas një krosimi nga goditja e këndit. Pasha ka përfituar nga pasimi i saktë që i dha Oshafi për të shënuar me portën e boshatisur.
Në minutën e 41, Redon Dragoshi ka ndërhyrë në mënyrë të gabuar duke shkaktuar penallti. Ka qenë radha e Limanit për të barazuar i cili e ka kthyer penalltinë në gol me shumë lehtësi.
Në minutën e 81, ka qenë radha e Shqipërisë për të kaluar sërish në avantazh, por këtë herë shënues ka qenë një nga lojtarët e Kosovës. Mbrojtësi i Kosovës, në tentativë për të larguar topin, ka shënuar në portën e tij duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.