Ilia Terpini, një nga personazhet e rëndësishëm të historisë se kamerës e fotografisë shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Humbja e tij është një humbje për artin e kinemasë që humbi një nga përfaqësuesi më të denjë të një brezi që i dha aq shumë kulturës sidomos para viteve 90-të.
Terpini lindi në një mjedis artistësh në Hoçishtë të Korçës dhe gjithçka do të ndryshonte në jetën e tij kur i ra në dorë një aparat.
“Ishte një italian që ma dhuroi. Ky ishte shkaku që mua më hyri në gjak fotografia dhe paralel me këtë fillova pak me vizatimin”,- do të shprehej ai kohë më parë. Terpini ishte pasionanti i palodhur që e shihje në çdo ngjarje artistike në kryeqytet.
Për të nuk pati asnjëherë shlodhje për shkak të moshës, pasi ai jetoi gjithmonë në punë si i ri. Kamera e tij ka realizuar prodhimet kinematografike më të suksesshme para viteve 90-të si filmin “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronx”, “Mësonjtorja” apo “Flutura në kabinën time”.
Kritika e quajte gjithnjë si poetin e ekranit për mënyrën sesi kamera e tij arrinte të fokusonte detajet. “Ilia shikon ndryshe. Është bukur të shikosh ndryshe, por edhe e vështirë. Një nga njerëzit që shikon bukur dhe larg është Ilia Terpini”, shprehet regjisori Kristaq Mitro.
Për humbjen e tij regjisori dhe bashkëpunëtori i tij Kujtim Gjonaj shkruan: “Një telefonateë nga Zhani Terpini,djali i mikut tim gati gjysmë shekulli IliaTerpini ,më kumtoi lajmin e keq dhe te hidhur…Ilia na la…Kishte shkuar në Paris për një kontroll rutine dhe Parisi i artit dhe kulturës, e mori në gjirin e tij artistin e madh.
“Sot, atje në qytetin e ëndrrave artistike,pushoi së rrahuri zemra e një njeriu të madh,e një miku të mirë,e një bashkëpunëtori dhe kolegu të aftë,e një artisti të shquar ,që zor se mund ti afrohet përkushtimit të tij ndonjë kineast tjetër.
U shua Ilia Terpini, njeriu që ia përkushtoi tërë jetën, deri në sekondat e fundit, artit më të ri, por nga më të dashurit, artit filmik. Kinemaja shqiptare humbi një ndër artistet e saj më të shquar”,- shkruan Gjonaj./TCH/