Holanda ka zemëruar sërish gjermanët, pasi arriti të marrë një barazim në fushën e tyre në ndeshjet e Ligës së Kombeve. Por ndërsa gjermanët po njohin vetëm humbje, një detaj ka rënë në sy gjatë ndeshjes.
Arbitri Ovidiu Hategan, 38 vjeç, u filmua me lot në sy. Sipas informacioneve të Bild, arbitri rumun ka mësuar në pushim të ndeshjes se i kishte vdekur mamaja.
Megjithatë ai vendosi që të arbitronte ndeshjen deri në fund, pa bërë asnjë gabim. Pas katër minutave shtesë, kur fërshëlleu për mbarimin e ndeshjes, e pushtuan emocionet.
Ai nisi të qante në fushë, kurse mbrojtësi holandez Virgil van Dijk u afrua dhe e përqafoi për ta ngushëlluar.