Nga Lis Bukuroca
Ndërtimi i demokracisë legalizohet dhe përligjet në shtëpi. Ligjet e demokracisë respektohen pikësëpari brenda familjes! Demokracia nuk ngrihet, nuk ndërtohet dhe nuk bëhet e qëndrueshme me njerëz me edukatë fisnore! Ajo mëson hakmarrjen, nepotizmin, korrupsionin, agresivitetin, dyfytyrësinë, makiavelizmin, diskriminimin, nënshtrimin e gjinisë femërore, nënshtrimin para autoriteteve fiktive dhe mashtrimin. Fëmija nuk edukohet në shtëpi! Ai dëmtohet, prandaj një apo dy herë në një shekull mund të kemi një politikan të drejtë! Prandaj kemi kryesisht hajna, mashtrues, tradhtarë, sepse ato tipare, merren si mësime themelore në familje dhe përforcohen në shkolla dhe jashtë!
Ndërtimi i shtetit ligjor nis, aty ku lindet njeriu! Politikanët tanë sot, janë fëmijët e dëmtuar në edukatë dje! Mungesa e seriozitetit, mungesa e dinjitetit, mungesa e sedrës, mungesa e virtytit, mungesa e të kuptuarit të interesave publike, tregon si është ushtruar në fëmijëri, domethënë është bërë narcist, pastaj psikopatë, sepse mësimet e marra, sepse trysnia e madhe në edukatën e tij për t’u bërë i pari, pa zgjedhur mjetet, ka qenë këmbëngulje dhe qortim i vazhdueshëm;
pa marrë parasysh pasojat, edhe kur rrezikohet humbja e lirisë. Me rëndësi është vetëm profilimi, pasurimi, jo fytyra! Tani kemi njerëz pa dinjitet edhe në akademi, nëpër fakultete, nëpër shkolla, nëpër gjykata, nëpër spitale, nëpër administratë, nëpër faltore dhe pikërisht soji i tyre raportojnë dhe llaptojnë për moralin, për shtetin ligjor, për mirëqenien kombëtare, për drejtësinë, gjersa vazhdimisht numri i banorëve brenda bie, kurse zhvatësi pa pushim pasurohet dhe populli, pa pushim kërkon rrugëdalje për të ikur sa më larg, pa kthyer kokën pas! Elita politike jashtë, është rezultat dhe produkt i edukatës në shtëpi! Edhe fjalori prej rrugaçi! Kopjimi i ligjeve nuk është qytetërim, qytetërim është vetëm respektimi i tyre! Ata na magjepsin me aftësitë e tyre për të depërtuar, për të mbijetuar: edhe pse rrejnë, edhe pse mashtrojnë, edhe pse vjedhin. Ata pa pikë turpi shfaqen si lukuni e harbuar duke marshuar nëpër metropole, thua se jemi shoqëri vetëm mashkullore! Thua se jemi në epokën e Isa Boletinit!
Derisa akademikët e vërtetë të mbeten në një Akademi me ata të rrejshmit dhe derisa profesorët e vërtetë, të punojnë me profesorët e rrejshëm dhe derisa veteranët e vërtetë, të bashkëjetojnë me veteranët e rrejshëm dhe derisa intelektuali t’i shërbejë dhe nënshtrohet klaneve mafioze, të drejtit kudo, do të shërbejnë për të përligjur dhe fisnikëruar praninë e krimineleve. Të drejtit tanimë pa dinjitet qytetar dhe pa guxim për ta braktisur vendet e kontaminuara dhe për të ringritur institucione apo shoqata dinjitoze. Uji i turbullte është i ndytë dhe nuk pihet pa u pastruar. Institucionet, ose shoqatat, humbin vlerën sepse durojnë kriminelë brenda vetes dhe derisa ne të numërojmë krimet e tyre, ata do të numërojnë lekët, kurse fëmijët e edukuar keq sot, nesër do t’u ndërtojnë atyre përmendore, mu siç bëjmë ne sot, me maskarenjtë e djeshëm!
A shpresojmë ende se shteti i së drejtës ndërtohet me arrivistë dhe me intelektualë mediokër në shërbim të tyre? Jo, nuk e bëjmë! Ne kemi valixhet gati, sepse ne nuk jemi stërvitur për të luftuar padrejtësitë, por për t’i duruar ato! Nuk themi kot, “gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë njëqind vjet!”. Dhe ja, ai po jeton, sepse mbijetesën i garantojmë ne me zvarritjen tonë! Me mungesën e revoltës tonë! Për të pasur shtet të së drejtës nesër, sot duhet edukuar sipas pedagogjisë moderne! Mungesa e saj e bën të mundur rishfaqjen e epokave të kaluara, sepse karakteret dhe shtresat e dikurshme, riprodhohen në shtëpi dhe mbruhen jashtë!