Politikanët na kanë premtuar tokën për dekada me radhë, por Newt Gingrich, rivali kryesor i Mitt Romney në garën republikane për një vend si kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, e ka ngritur më lart stekën e premtimeve – në fakt 240 000 milje më lart. Gjatë javës, në të cilën Presidenti Obama njoftoi se “Amerika ishte kthyer”, rivali i tij republikan tha para një grupi dëgjuesish nga Florida që “para fundit të mandatit të tij të dytë, ne do të kemi një bazë të përhershme në Hënë, dhe ajo do të jetë amerikane”. Përpara se të duartrokasim sensin e tij të humorit – dhe të buzëqeshim për përmendjen e mandatit të dytë (kur ende nuk ka një mandat të parë)– është me vend të themi që ai është shumë serioz në këtë premtim. Tridhjetë vjet më parë, pasi bashkëthemeloi, “Space Caucus” në Kongres, ai shkroi disa herë për transferimin e punës në Hënë, dhe tha se një çmim prej 20 bilionë dollarësh do t’i dërgonte njerëzit më shpejt në Mars sesa burokratët e Nasa-s. Gingrich duket se tenton të zgjojë tek amerikanët shpirtin “gjithçka e mundur” të viteve 60’, por këta mund të vendosin mbi argumente, që ai nuk është Kenedi. Dhe kështu, ai duhej të mirëpritet në listën e aktorëve të serialit “Doctor Who”.
Mirëpo gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Kandidati republikan e mbajti fjalimin afër qendrës Kenedi të Nasas, dhe dihet që ai është një entuziast i hapësirës dhe ka prej kohësh plane që deri më 2020-ën Amerika të ketë një koloni hënore. Ai madje ka propozuar që kur kjo koloni të ketë 13 mijë banorë, të mund të aplikojë për të qenë shteti i 51 i SHBA.
Ndërsa fliste, ai ka vënë në shënjestër edhe rivalin e tij Romney, i cili i quan projektet hapësinore si prodhime të një mendjeje kaotike, duke thënë se kjo ishte diferenca mes një romantiku dhe njerëzve të ashtuquajtur praktikë. Gingrich tha: “Unë dua që çdo amerikan i ri t’i thotë vetes që ‘do të jetë një prej atyre 13 mijë të parëve, që do të jetë një pionier’”.
Por nga salla kanë ardhur të qeshura dhe Gingrich ka pranuar se propozimi për një shtet të SHBA-së në Hënë ishte “gjëja më e çuditshme që ai kishte bërë ndonjëherë, por kjo ishte pjesë e një plani të madh për të zgjuar potencialin e amerikanëve”. Ai madje shtoi se Hëna nuk do ishte destinacioni i fundit, por premtoi një program për në Mars. “A do të thotë kjo që unë jam një vizionar? Mund të vini bast për këtë”, – tha ai, ndërsa krahasoi fjalimin e tij me atë të Kenedit para se SHBA të kryente zbritjen e parë në Hënë, gjë që krijoi mjaft zhurmë në internet, por mund të jetë mjaft e zgjuar politikisht para përzgjedhjeve të së martës. Industria e hapësirës ka një numër të jashtëzakonshëm vendesh pune në Florida, dhe ky shtet e priti me mërzi të dukshme vendimin e Presidentit Obama për t’i dhënë fund programit të udhëtimeve hapësinore. Dhe sa i përket këtij fluturimi në Hënë, ja ku vjen edhe keku: Gingrich ka fituar mjaft pikë në sondazhe dhe mund të fitojë në parazgjedhjet e Floridës, që ashtu siç pranon rivali i tij, është ‘Shteti i Hapësirës’.