Pasi ditën e djeshme Partia Demokratike denoncoi atë që e quajti si faktin që qeveria e Edi Ramës, i ka dhënë baxhanakut të tij Armand Frangu, 41 tendera me vlerë 15.6 milion euro, një tjetër akuzë është hedhur sot.
Deputeti demokrat Flamur Noka në një dalje nga selia blu, publikoi disa dokumente duke denoncuar sipas tij, se si Edi Rama vijon të favorizojë një ndër binznesmenët e afërt, duke i dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit, me gjithë denoncimet e shpeshta publike.
“Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e radhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milionë euro. Marrja me qera e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qera dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qera të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre”, u shpreh Noka.
Ai tha se favorizimi me tendera nuk ndalet vetëm me makinat e policisë, por se në dy vitet e fundit, nga kompania shtetërore OSHEE, kompanitë e preferuara të Ramës, në pronësi të Agron Papulit kanë përfituar 6 tendera, me vlerë 4.3 milion euro.
Noka e cilësoi si një korrupsion të paracaktuar dhe një akt korruptiv kriminal, pasi të gjitha specifikat e tenderave për makinat në qeverisjen e Edi Ramës janë përcaktuar nga vetë Agron Papuli duke pamundësuar garën për të tjerët.
Sipas deputetit demokrat, janë 127 tendera që i janë dhënë mikut të kryeministrit, Agron Papuli, që prej ditës që qeveris Edi Rama.
Në këtë linjë shtoi se duke bërë një llogari të thjeshtë, rezulton se nga buxheti i shtetit për mikun e kryeministrit Agron Papuli, janë dhënë 17.3 milion euro.
Ai tha se 1.8 milionë eurot e përfituara në korrik të këtij viti janë kësti i fundit i një politike arrogante të kryeministrit, i cili buxhetin e shtetit e shpërndan ekskluzivisht për familjen e tij, baxhanakun, miqtë e deputetëve të partisë si dhe për oligarkët që pastrojnë paratë dhe paguajnë tarifën tek kryeministri.
“Por zullumi i kësaj qeverie s’ndalet së trashuri, prandaj klika e baxhanakëve, e miqve të gruas dhe e grave të miqve s’mund të mbijetojë gjatë. Shqiptarët nuk do të lejojnë që Edi Ramës t’i jepet shansi ta privatizojë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha në mbyllje deputeti demokrat.
PD denoncon me dokumente: Rama i jep baxhanakut 15 milionë euro tendera