I ftuar në ‘Fax News’ gazetari Vincent Triest ka folur rreth skepticizmit të Holandës ndaj vendit tonë për hapjen e negociatave. Duke iu referuar deklaratës së deputetëve holandezë ditën e djeshme, të cilët e thanë troç se vendi ynë nuk është gati për hapjen e negociatave, Triest deklaroi se frika e Holandës është çështja e kriminalitetit shqiptar.
Ai u shpreh se në Holandë askush nuk e njeh Saimir Tahirin dhe nuk janë të interesuar nëse ka korrupsion apo jo në vendin tonë. Sipas Triest skepticizmi i Holandës vjen për shkak se vetë qytetarët holandezë mund ta pësojnë nga lufta mes bandave shqiptare.
“Holanda, sidomos autoritetet e sigurisë, kanë frikë se për shkak të përshkallëzimit të dhunës mes shqiptarëve, mund të vriten apo plagosen edhe vetë ato. Popullsia nuk e ka patur këtë frikë, por autoritetet po, nga kontaktet që kam patur me policinë dhe autoritetet e tjera të sigurisë ekziston kjo frikë. Shqetësimet e autoriteteve të sigurisë, nëse janë përcjellë tek unë, sigurisht ua kanë thënë edhe deputetëve të tyre. Këta deputetët holandezë nuk është se e vrasin mendjen për korrupsionin apo çështjen Tahiri, por janë të interesuar se çfarë do të ndodhë në Holandë’, tha Triest.
Gazetari tha gjithashtu se tashmë nga pala shqiptare ka fillur të pranohet situata me kriminalitetin pasi më parë mohohej.
“Të dyja ambasadat kanë pasur një mohim apo shtrembërim faktesh për këtë çështje, por kjo çështje për Holandën është një gjë shumë e rëndësishme. Por mendoj se kohët e fundit ka pasur një ndryshim nga pala shqiptare se tani nuk mohohet problemi”, tha ai.
“Është shumë e vështirë që në Parlamet të aprovohet kërkesa për hapjen e negociatave. Asnjë person nuk më ka thënë në Shqipëri, diplomatë të huaj dhe të tjerë, se vendi është gati për në BE, ashtu edhe në Europë mendojnë se Shqipëria nuk është gati”, shtoi Triest.
Vincent Triest u pyet edhe se kush janë vendet e tjera më skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Për mendimin tim janë Franca dhe Gjermania”, u përgjigj ai. (Faxweb)