Seanca e djeshme e Parlamentit, krahas rikthimit të disa eksponentëve të opozitës, riktheu edhe tensionet në sallën e seancës plenare.
Që në mëngjes, zyrat e shtypit të dy partive opozitare, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, njoftuan se në mbledhjen e djeshme të Parlamentit do të merrnin pjesë nga një përfaqësi deputetësh, kryesisht anëtarë të Komisionit të Medias në Kuvend. Konkretisht, Luçiano Boçi, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka, Romeo Gurakuqi dhe Ervin Salianji ishin nga Partia Demokratike, ndërsa nga LSI ishin Luan Rama, Petrit Vasili, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi. Që në hapjen e seancës, LSI kërkoi futjen në rendin e ditës të amendamenteve të depozituara nga kjo forcë politike, që konsistonin në plotësimin e kushteve të studentëve.
Vasili, duke i prezantuar ato, theksoi se: “Këtu jemi në ato nivele të njohura të një idiotësie politike që ka vendosur të zgjidhë dialogun me monolog. Ai vjen ose nga kushte të këqija politike, por është një kapsllëk politik, nga ku nuk e çlirojmë dot ne as Kryeministrin dhe as Kuvendin që ndërpret fjalën tonë. Së fundi, buxheti i shtetit, në kushtet e emergjencës në të cilat ndodhet dhe që është miratuar një javë apo 8 ditë përpara, ka qëndruar një javë në zyrat e Kuvendit apo në zyrat e ministrive për të rishqepur dhe qepur tabelat e buxhetit përpara një emergjence kombëtare, ky Parlament ka bërë e ka ndryshuar Kushtetutën brenda natës”, tha Vasili, duke kërkuar shqyrtimin e menjëhershëm të amendamenteve të tij. Dy deputetët e PD-së, Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji, në mënyrë demonstrative i hodhën Kryeministrit ligjin e arsimit të lartë.
SHARJET
Seanca plenare u shoqërua edhe me sharje ndërmjet opozitës. Kryeministri Rama mori fjalën në seancë përpara se të hidhej në votim kërkesa e LSI-së për shqyrtimin në seancë plenare të amendamenteve të saj për buxhetin e shtetit dhe ligjin e arsimit të lartë. Në këtë moment fjalën e kërkoi edhe deputeti Salianji, i cili iu drejtua foltores njëkohësisht me Kryeministrin.
Në këtë moment ndërhyri Garda, duke krijuar një kordon që ndante Ramën me Salianjin. Deputeti i PD-së në mënyrë demonstrative i hodhi Kryeministrit ligjin e arsimit të lartë, duke u ulur më pas në vendin e tij. Gjatë momentit kur Rama po fliste, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së nga vendi iu drejtua Kryeministrit, duke i thënë: O idiot, voto amendamentet. Pas fjalës së Ramës, Ruçi nuk pranoi që t’i jepte fjalën për procedurë deputetes së LSI-së Floida Kërpaçi edhe si iniciatore e amendamenteve, duke hedhur në votim futjen ose jo në rend dite të propozimeve të LSI-së. Gjatë momentit të votimit, ku u rrëzua edhe kërkesa e LSI-së, sërish kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Vasili iu drejtua Ruçit, duke i thënë: O Gramoz, mos u bëj karagjoz.
THYERJA E DYTË
Pasi maxhoranca u shpreh kundër kërkesës së opozitës, deputetët e PD-së dhe LSI-së u larguan nga salla, duke rifilluar bojkotin parlamentar. Por bojkoti i opozitës u thye në mënyrë të pakoordinuar nga dy deputetë të tjerë, përkatësisht Agron Çela nga LSI dhe Rudina Hajdari nga PD. Agron Çela u shfaq në fund të seancës, duke votuar për prezencën e tij në seancë dhe duke rinovuar automatikisht mandatin e tij për 6 muaj të tjerë. Ndërsa deputetja Rudina Hajdari theu qëndrimin e PD-së, duke mbajtur edhe një fjalë në seancë.
Ajo akuzoi partitë politike se nuk janë në mbështetje të studentëve, duke kërkuar më pas që Parlamenti të miratojë Reformën Zgjedhore në mënyrë që listat të jenë të hapura. Ky qëndrim i Hajdarit ra në përplasje më PD-në, e cila kishte marrë vendim që në seancë të paraqiteshin vetëm 5 deputetë. Lidhur me këtë, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari reagoi në një status në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, duke u shprehur se: Nuk e theva unë rregullin, rregulli u thye që në 10 të mëngjesit me ardhjen e opozitës në Kuvend. Unë thjesht bëra detyrën time.