Forcat Speciale, RENEA dhe FNSH-ja, të cilat janë duke kryer kontrolle dhe arrestime në Nikël të Fushë Krujës, kanë hyrë mëngjesin e sotëm dhe në shtëpinë e Durimit Bamit, person me precedentë penalë, protagonist i “atentatit” ndaj deputetit Tom Doshi.
Operacioni udhëhiqet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe synon goditjen e bandës së Niklës, grup kriminal mbi të cilin rëndojnë një sërë akuzash duke filluar nga vendosja e eksplozivëve.
Deri tani është arrestuar Fatmir Haka, i forti i zonës, i njohur me nofkën “Tuku”, dhe janë shoqëruar në Polici dhjetëra të tjerë.
Operacioni vazhdon për armë, drogë dhe persona në kërkim.
Të paktën gjashtë persona janë shoqëruar nga policia që nisi një aksion rreth orës 05.00 të ditës së sotme në Nikël.
Mes të shoqëruarve është Durim Bami, vrasësi i famshëm me pagesë që iu prezantua si i tillë vetë ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në zyrën e tij në ministri. Durim Bami u bë një personazh publik gjatë çështjes, Doshi-Meta, kur deputeti i Shkodrës deklaroi se po organizohej një atentat për ta vrarë.
Të shoqëruarit e tjerë janë Valter Bami, Ylli Cungu dhe Fatmir, Marenglen dhe Bedri Haka. Të gjithë persona me precedentë penalë, të akuzuar për krime të rënda që nga pengmarrjet e deri tek vrasjet.
Ndryshe nga policia, të shoqëruarit njihen si “Grupi i Niklës” dhe dyshohet se kontrollet dhe arrestimet kanë lidhje me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Shkodër.
Mbetet për t’u parë nëse ndërhyrja e policisë do të ketë rezultat, apo ky i sotmi është show i radhës.