Gjykata e Krimeve të Rënda sot në mesditë ka thirrur për përballje kryetarin e grupit të PS, Taulant Balla dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha.
Vendimi i gjykatës erdhi pas padisë që depozitoi Balla kundër kreut të PD-së.
Balla e akuzoi Bashën për nxjerrje të sekretit hetimor në lidhje me dosjen e sekuestrimit të 3.4 mln eurove që u bllokuan në makinat ‘Toyota’ dhe për shpifje, pasi ky i fundit, akuzoi Ballën se ishte garant i dërgesës së parave të siguruara nga veprimtari të paligjshme në vendet e Europës, të cilat po tentoheshin të futeshin në vendin tonë të fshehura në dy automjete.
Ndërkohë, para gjykatës sot kanë mbërritur Ivi Kaso dhe Gazment Bardhi nga PD-ja, nderkohe qe vetem pak minuta me pas mberriti edhe deputeti Tulant Balla.
Basha nuk ështe paraqitur vetë dhe kjo ka sjellë edhe komentin e Ballës.
“Ky bën shejtan budallain, sot me informon avokati që sot Basha nuk është paraqitur për tu përballur me mua personalisht për shpifjen, nëse do të kishte burrërinë, do të ishte ai i pari që të shkonte në prokurori. Nuk e bëri, sot nuk është paraqitur, thonë që ka ikur në SHBA, nëse është atje, nëse nuk është trill për tu fshehur se e ka zakon ti fshihet drejtësisë. Nëse është atje, ka detyrim edhe ligjit që para organeve amerikane të japë shpjegimet për aferën 500 mijë dollarëshe me paratë ruse për PD” – tha Balla, teksa edhe ai u paraqit në seancë me avokat
I pyetur se pse nuk shkon ai vete ne gjyq, por la avokatët, Balla u përgjigj: “Kjo është seancë e parë, unë dua përballjen me Bashën, ai hodhi baltë mbi mua, një përballje mes avokatësh nuk e ul nivelin tim të përballem me punëtorët e Bashës, njëri ish ministri i drejtësië, me punëtorët e Lulzimit nuk përballem, do ta pres edhe nëse vonohet nga SHBA, por jam i sigurtë se ky proces do të ketë plot seanca dhe do të vijë medoemos të përballet”.