Në stendën e UET-Press kërkohen librat e Servet Pëllumbit, Majlinda Bregut, Ben Blushit dhe Blendi Fevziut.
Politika ka aftësinë të tërheqë lexues drejt librit dhe në një panair të vakët si ai i majit në Pallatin e Kongreseve. Emrat e politikanëve që shkruajnë apo subjektet politike kanë prekur edhe këtë herë ndjeshmërinë e lexuesit shqiptar. Në stendën e UET Press, lexuesit kanë ardhur posaçërisht për të blerë librin e sapobotuar të deputetes së PD-së, Majlinda Bregu, të ish-kryetarit të Kuvendit, profesor Servet Pëllumbi, libra të botuar së fundmi.
Por jo vetëm këta dy emra kanë tërhequr lexues, dhe pse jo në pritshmërinë që kishte kjo shtëpi botuese, por dhe libra të botuar më parë prej saj, si Ben Blushi apo Blendi Fevziu. Ndoshta i ndikuar nga aktualiteti politik, duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, lexuesi nuk i ka shpëtuar dot tundimit për të lexuar librat e shkruar për politikën ose nga politikanët. “Libri i Servet Pëllumbit ka qenë një nga më të tërhequrit nga lexuesit, kishte lexues që vinin posaçërisht për të blerë këtë libër në panair, për shkak të interesit që ngjall jo vetëm emri i autorit, por dhe tema të cilën ai trajton, “Përmbysja e komunizmit’, – thotë Valbona Nathanaili, Drejtoresha e UET Press. – Pëllumbi tërhoqi vëmendjen me këtë libër analizë dhe refleksione në prag të 25-vjetorit të tranzicionit shqiptar, duke sjellë këndvështrimin e tij për vitet ’90-’91 kur ra komunizmi në Shqipëri”.
Sipas Nathanailit, edhe Majlinda Bregu ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe pse u prezantua për ta vetëm ditën parafundit në panair. Bregu ka qenë një surprizë e vërtetë në këtë panair, pasi promovoi librin e saj Ditën e Europës, më 9 Maj, një libër ku shkrihej analiza dhe kujtimet e saj për 7 vitet e shërbimit si ministre e Integrimit. Gjithashtu, në këtë panair megjithëse ishin libra që thyen rekorde shitjesh gjatë panairit të nëntorit vazhduan të jenë në interesin e lexuesve librat e deputetit të PS-së, Ben Blushi dhe të gazetarit Blendi Fevziu, me monografitë e tij mbi Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun.
“Nga viti në vit, UET Press jo vetëm ka rritur denjësisht numrin e titujve, por edhe të përfaqësimit, gjithmonë në përmbushje të misionit që ka libri, si dhe të misionit tonë si Shtëpi Botuese: formësimin e mënyrës së të menduarit të shoqërisë dhe zgjerimit të horizontit të ideve”, – tha për Mapon, drejtoresha e UET-Press, Valbona Nathanaili. “Në total, numri i botimeve tona shkon në 124, një ndërthurje e autorëve shqiptarë me të huaj, në bazë të një politike shumë strikte zgjedhjeje”.
Për kolanën “Curriculum”, UET-Press kishte zgjedhur botimet më të mira që gjenden në gjuhë të huaj. Bashkëpunimet për këto botime përfshijnë Oxford Press, McGraw Hills, Taylor & Francis Group, Pearson Education, Cengage Learning etj. Ndërkohë që për kolanat e tjera kjo shtëpi botuese ka bashkëpunuar me pedagogët tanë, studiues të fushave e institucioneve të ndryshme, politikanë, gazetarë e publicistët më të njohur në vend. Vetëm gjatë vitit 2014 ka botuar, sipas kolanave, përkatësisht: scripta manent 19 tituj (nga 46 gjithsej); curriculum 2 tituj (nga 38 gjithsej); monografi, ese, studime 20 tituj (nga 54 gjithsej); thesis 5 tituj (nga 13 gjithsej) dhe albume fotografike 2 tituj (nga 8 gjithsej).
“Përmbysja e komunizmit”, teza e Pëllumbit për “efektin domino”
Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit dhe një prej drejtuesve të Partisë Socialiste, ka botuar vetëm para disa javësh librin i tij më të fundit me analiza, refleksione dhe kujtime. Libri ka ardhur në dorën e lexuesve si botim i UET-Press, në kuadër të botimeve që Universiteti Europian i Tiranës ka ndërmarrë në përkujtim të 25-vjetorit të tranzicionit shqiptar. Libri ka tërhequr vëmendjen e mediave për dëshmitë që sjell profesor Pëllumbi, një protagonist dhe dëshmitar i viteve ’90-‘91, kur dhe u shënua rrëzimi i regjimit komunist.
Në hollin e UET-it dje kishte më shumë akademikë, studiues dhe studentë sesa politikanë, duke treguar në njëfarë mënyre se Pëllumbi ishte “kthyer” në shtëpinë e vjetër të akademikëve, ku dhe e gjeti ndryshimi i sistemeve. Servet Pëllumbi e cilësoi librin e tij më të fundit si një këndvështrim filozofik mbi ngjarjet e vitit ’90-91, për të kuptuar se çfarë ndodhi realisht përtej emrave të protagonistëve apo fakteve konkrete.
Në hyrje të librit të tij, Pëllumbi thekson se qëllimi i tij është më tepër analizimi i disa çështjeve dhe ideve që vazhdojnë të jenë objekt diskutimesh e debatesh lidhur me përmbysjen e “komunizmit”, me faktorët që e përcaktuan këtë, me nevojën e dallimit të “krimeve të komunizmit” nga aspekti ideologjik i problemit, apo me tiparet e përgjithshme të këtij fenomeni dhe me veçoritë e procesit të “Përmbysjes së Madhe” në secilin vend ish-socialist.
“Në këtë rrafsh, mendoj se është e rëndësishme që të dallohet ideja socialiste (komuniste), që historikisht ka lindur njëkohësisht me idenë apo filozofinë e liberalizmit, nga regjimi konkret socialist, që njihet ndryshe dhe si modeli sovjetik i socializmit. Në këtë kuptim, ajo që u përmbys pas rënies së murit të Berlinit (1989), ishte pikërisht kjo formë konkreto-historike e socializmit, por jo ideja socialiste (komuniste), që si e tillë, gjithsesi ruan vlerat e veta historike dhe mbase pret të zhvillohet më tej. Kjo është arsyeja pse termi komunizëm shpesh vihet brenda thonjëzave”, – thekson ai. Më tej, një nga tezat që mbron Pëllumbi është fakti se rënia e komunizmit në Shqipëri ndodhi sepse ashtu duhej të ndodhte, si një efekt i asaj çfarë po ndodhte në vendet e tjera ish-komuniste. “Konkretisht, ajo që ndodhi në Shqipëri 25 vjet më parë”.
7 vite “Ik E ja” në Europë, në një libër nga ish-ministrja e Integrimit
Një libër për kohën kur ishte ministre e Integrimit, por jo vetëm. Majlinda Bregu iu prezantua publikut këtë të shtunë si shkrimtare-publiciste me një libër analizë për kohën kur ajo ka punuar si ministre e Integrimit. Libri është shkruar pas daljes në opozitë të PD-së dhe ka dy parathënie nga dy ish-personalitetet e BE-së, Doris Pack, europarlamentare dhe ish-presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso. Libri “Ik E ja Europë” është botim i UET-Press dhe u promovua ditën e shtunë më 9 maj, pikërisht në Ditën e Europës, në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve.
Ky libër jo vetëm analizon nga sytë e ministres më jetëgjatë të Integrimit marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në, por sjell histori personale, plot humor dhe sinqeritet, ndonjëherë dhe pasazhe pak të trishta të sakrificës që i duhet të bëjë një grua dhe nënë kur merr përsipër një detyrë të tillë si zonja Bregu. “Nxitur dhe nga fakti që ky proces (i integrimit) është i gjatë por i padokumentuar dhe duke qenë se eksperienca ime ishte më e gjata në këtë ministri, 7 vjet, nisi nga marrëveshja e Asociim-Stabilizimit dhe përfundoi me marrjen e statusit kandidat, i cili vetëm datën e lançimit arriti me qeverinë aktuale, sepse çdo gjë tjetër u përfundua gjatë qeverisjes tjetër. Ndaj mendova se mund të ishte interesante për t’i shkruar, megjithëse aty mungojnë qindra detaje. Sigurisht kisha shumë kohë, sepse kur je në qeveri nuk ke kohë, sidomos në këtë proces që ka gjithmonë afate”, – tha ajo për Mapon.
Botime UET Press
Kolana “Scripta manent”: Aleksandër Meksi/ Alfred Peza/ Arben Vata/ Blendi Fevziu/ Bruno Vespa/ Bujar Kapexhiu/ Dritëro Agolli/ Eleni Laperi/ Gwen Robyns/ Henri Çili/ Ilir Ikonomi/ Maks Velo/ Michael O’Reilly/ Pëllumb Kulla/ Preç Zogaj/ Romeo Gurakuqi/ Sabri Hamiti/ Sokol Balla/ Spartak Ngjela/ Tedi Papavrami/ Valbona Nathanaili/ Ylli Pango.
Kolana “Monografi, ese, studime”: Adrian Civici/ Agim Nesho/ Alastair Campbell/ Alfred Lela/ Amik Kasoruho/ Anthony Giddens/ Arben Cici/ Ardian Civici/ Baton Haxhiu/ Behar Gjoka/ Belina Budini/ Ben Blushi/ Besnik Maho/ Blendi Fevziu/ Bujar Kapexhiu/ Dasara Malltezi/ Daut Gumeni/ David Smajli/ Erjona Canaj/ Fatos Tarifa/ Ferit Duka/ Gilles de Rapper/ Grida Duma/ Henri Çili/ John Barnes/ Kosta Barjaba/ Ksenofon Krisafi/ Luljeta Minxhozi/ Luljeta Progni/ Mentor Nazarko/ Michel Foucault/ Muhammad Yunus/ Mustafa Nano/ Nebi Bardhoshi/ Osman Myderizi/ Përparim Fuga/ Pierre Sintes/ Preç Zogaj/ Roland Lami/ Romeo Gurakuqi/ Rudolf Marku/ Selami Xhepa/ Shaban Murati/ Shkëlzen Maliqi/ Sokol Balla/ Theodore Kaltsounis/ Tonin Gjuraj/ Valbona Nathanaili/ Visar Zhiti.
Kolana “Curriculum”: Temistocle Martines/ Andrew Borkowski/ Steven Burton/ Peter Murphy/ Jonathan Herring/ Herbert Mayo/ N. Gregory Mankiw/ Mark P. Taylor/ Stephen P. Robbins/ David DeCenzo/ Mary Coulter/ Paul Banfield/ Rebecca Kay/ N. Gregory Mankiw/ Mark P. Taylor/ Harvey S. Rosen/ Julian Gaspar/ Leonard Bierman/ James Kolari/ Richard Hise/ L. Murphy Smith/ Philip Kotler/ Gary Armstrong/ David R. Anderson/ Dennis J. Sweeney/ Thomas A. Williams.
Kolana “Thesis”: Anilda Bozdo/ Arbi Agalliu/ Edlira Gjuraj/ Elvin Meka/ Grida Dumi/ Indrit Baholli/ Mateo Spaho/ Mimoza Durrësi/ Nevila Xhindi/ Oltjana Zoto/ Tomi Treska/ Tonin Gjuraj.
Kolana “Albume fotografikë”: Arben Theodhosi/ Artan Lame/ Bujar Kapexhiu/ Fate Velaj/ Rakip Shabani/ Romeo Gurakuqi