Universiteti i Libanit, USEK organizon një cikël leksionesh me temë “Komunizmi dhe Kultura, a mund të flasim për specifikat e Shqipërisë”.
Nga Blerina Gjoka
Koha e sundimit komunist është një nga ato gjëra me të cilat shqiptarët jetojnë në një mënyrë a një tjetër dhe pse kujtimi i asaj periudhe gjysmëshekullore është i dhimbshëm. Për të huajt, historia e Shqipërisë komuniste, e cilësuar si një nga regjimet komuniste më të egra në Europën Juglindore, ngjall kureshtje. Arti dhe letërsia janë një nga mënyrat më të mira për të shuar jo vetëm kureshtjen për kohë të tilla, që fatmirësisht morën fund, por për t’i ngulitur ato në kujtesën kolektive. Libri “Parullat me gurë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është një prej atyre librave (dhe filmave, pasi është bërë edhe film) që të përcjell në mënyrë dramatike dhe ironike njëkohësisht megalomaninë e atij sistemi. Po ndërsa libri dhe filmi prej vitesh kanë tërhequr jo vetëm publikun shqiptar por edhe atë europian, në muajin prill historia shqiptare e komunizmit preku një ndër vendet e botës arabe. Shkrimtari Aliçka ishte ftuar nga një prej universiteteve më të vjetra në Liban, USEK, (The Holy Spirit University of Kaslik) për të dhënë disa leksione të hapura me rastin e 40-vjetorit të krijimit tëFakultetit të Arteve tëBukura. Universiteti USEK financohej nga sekti i Maronitëve, një sekt i krishterë i Libanit. Leksionet e mbajtura nga profesor Aliçka, i ciliaktualisht është lektor në Universitetin Europian të Tiranës, u fokusuan në temën “Komunizmi dhe kultura; rasti i Shqipërisë dhe specifikat e saj”. Njëkohësisht, Universiteti organizoi dhe projeksionin e filmit me të njëjtin emër me skenar të vetë autorit.
Duket se ky nuk do të mbetet vetëm një udhëtim i veçuar, pasi përveç përkthimit të librit të mësipërm në gjuhën arabe, mes dy universiteteve mendohet të vendosen disa raporte shkëmbimesh shkencore dhe akademike.
Po si lindi ky udhëtim në këtë zonë të nxehtë të Mesdheut (rreth 1 milion e gjysmë refugjatë sirianë, me bombardime të herëpashershme të bazave Hezbollah, me katër komunitete kryesore fetare (sunitë, shiitë, maronitë e druzë…) me ndikime nga vendet e mëdha të Lindjes së Mesme…).
“Mua më erdhi një ftesë akademike nga Universiteti privat USEK Holy Spirit në Bejrut, i cili më ftoi për një cikël leksionesh. Ideja fillestare lindi nga Instituti Italian i Kulturës në Bejrut, duket marrë shkas nga botimi i librit “Parullat” në Itali. Drejtori i Institutit Italian të Kulturës i kishte rekomanduar universitetit librin tim për ta lexuar, duket me interesin e këndvështrimittë komunizmit në përditshmërinë e tij”, thotë Aliçka.
Po pse ky interes i botës arabe për komunizmin?
Aliçka mendon se ka dy arsye për këtë gjë. “E para, ky qe një universitet privat me shumë theks mbi shkencat humane dhe ato politike, sido që kishte një vokacion fetar. Diskutime interesante pati dhe mbi ngjashmëritë që vihen ndonjëherë re mes fesë dhe ideologjive totalitare.Dhe së dyti, sepse në vitet ‘70-’80, jo pak vende të Lindjes e kanë pasur në modë ndikimin e Bashkimit Sovjetik, vende si Palestina, Libani,dhe për ta nuk është e huaj ideja e komunizmit”.
“Jo vetëm t’i gjykojmë, por t’i kuptojmë më thellë ideologjitë totalitare”
“Jo vetëm ta gjykojmë komunizmin, por të kuptojmë fenomenin në të gjitha aspektet e mundshme, sociologjike, kulturore, politike etj. Shkrimtari Ylljet Aliçka, i ftuar si lektor në Universitetin USEK në Liban, mendon se komunizmi dhe sidomos ai shqiptar vazhdon të ngjallë interes pikërisht për këto arsye. Gjatë një prej leksioneve të tij në USEK, ai tha se komunizmi në Shqipëri është instaluar nën ndikimin jugosllav, sovjetik dhe kinez, duke krijuar fillimisht iluzionin e një bote të re, më të mirë.
“Që pas shfaqjes së tij rreth fundit të viteve ’30deri në rënien e tij tëpapritur, (papritur për shumicën e vetë analistëve më të mprehtë)komunizmi në vendin tonë krijoi iluzionin e një bote më të mirë. Nga utopia tek totalitarizmi, nga utopik, besimi i nomenklaturës, nga rezistenca te kampet e përqendrimit, nga edukimi i masave te revolucioni kulturor, nga barazia te kulti i personalitetit, nga lufta e klasave tek aparatçikët, nga shpirti rebel te policia sekrete; ishte kjo një listë e gjatë e aspekteve kontradiktore të lidhura me komunizmin. Një memorie ende vitale dhe një interes për të kaluarën e afërt. Por gjëja e rëndësishme është të mos gjykohet, por të kuptohet një fenomen, pa dyshim politik, sigurisht sociologjik, por sakaq edhe kulturor”, – tha ndër të tjera ai.
Më tej shkrimtari jep me një frazë tablonë e ndikimit të madh që ka pasur kjo periudhë në jetën e një brezi të tërë që e përjetoi atë dhe pasojat për vendin.
“Komunizmi: koha që i përket atij në shkallët e njerëzimit është e shkurtër, të paktën në Shqipëri, por shumë e gjatë për një brezni të tërë dhe jo vetëm. Shqipëria ruan ende gjurmët e kësaj periudhe në kujtimet e saj, si në trup, në rrugë dhe në qytetet, ashtu edhe në kulturën e saj. Sot, sigurisht që si një projekt politik, komunizmi në Shqipëri ka vdekur”, – shprehet Aliçka në një prej leksioneve të tij mbajtur në Bejrut.
UET- USEK, bashkëpunim në fushën akademike dhe kërkimin shkencor
Vizita e shkrimtarit Ylljet Aliçka në një prej universiteteve më të vjetra dhe prestigjioze të Libanit, USEK, ka shtruar dhe mundësitë e bashkëpunimit mes këtij universiteti dhe Universitetit Europian të Tiranës, ku Aliçka është pedagog. “Pedagogët dhe studentët shfaqën interes për një bashkëpunim mes dy universiteteve në fushën akademike, shkëmbimin e pedagogëve për leksione në fusha të ndryshme, me vizitat e grupeve studentore të dy universiteteve, por edhe në fushën e kërkimit shkencor për projekte të përbashkëta shkencore”, – tha Aliçka.
USEK (The Holy Spirit University of Kaslik: është një universitet me histori, i themeluar që në vitin 1961 dhe me orientim kryesisht perëndimor. Universiteti është privat, katolik, i themeluar nga Urdhri Maronit Libanez. Shumica e lektorëve në këtë universitet janë të shkolluar në Europë ose SHBA.