Logopediste Antigoni Bullari: Ndërhyrja e vonë te këta të sëmurë, mund të bëjë që pacienti të ketë më pak shanse për rikuperimin e të folurit, duke e bërë atë një individ me aftësi të kufizuara
Çdo ditë mesatarisht 5 raste të reja paraqiten në repartin e Neurologjisë si shkak i aksidenteve vaskulo-cerebrale, ku më të prekurit janë kryesisht moshat mbi 40 vjeç. Krahas problemeve të tjera neurologjike, këta të sëmurë shfaqin edhe Afazi. Logopediste Antigoni Bullari në një intervistë për “Mapo” shpjegon se Afazia është një çrregullim i fituar i të folurit dhe komunikimit, me natyrë neurologjike, që prek kryesisht hemisferën e majtë, ku ndodhet dhe qendra e të folurit dhe prek të dyja gjinitë. Ky problem ndodh si pasojë e një dëmtimi në tru, kryesisht pas aksidenteve vaskulo-cerebrale (AVC), por edhe pasojë e traumave të kokës, aksidenteve, tumoreve apo infeksioneve në tru. Sikurse shpjegon logopedistja Bullari nëse terapitë dhe trajtimet me logopedi dhe fizioterapi bëhen në kohë, i sëmuri rikuperon të kuptuarit dhe të folurin, riaftësohet për jetën por mbi të gjitha këto terapi i ndihmojnë për t’u shpëtuar kthetrave të depresionit.
Çrregullimi
Afazia është një çrregullim i të folurit dhe komunikimit, që prek prodhimin dhe/ose kuptimin e të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Është gjithnjë pasojë e një dëmtimi në tru, kryesisht pas aksidenteve vaskulo-cerebrale (AVC), por edhe pasojë e traumave të kokës, aksidenteve, tumoreve apo infeksioneve në tru. Pra, Afazia është një çrregullim i fituar i të folurit dhe komunikimit, me natyrë neurologjike, që prek kryesisht hemisferën e majtë, ku ndodhet dhe qendra e të folurit dhe prek të dyja gjinitë. Afazia mund të jetë aq e rëndë, sa ta bëjë thuajse të pamundur komunikimin me pacientin, por mund të jetë edhe shumë e lehtë. Mund të afektojë vetëm një aspekt të gjuhës si p.sh. aftësinë për të emërtuar objektet, bashkimi i fjalëve në një fjali apo aftësinë për të lexuar, por këto në rastet më të lehta. Shpeshherë aspekte të ndryshme të komunikimit dëmtohen dhe disa të tjera ngelen të kufizuara si në rastin e Afazisë Globale, që është ndër format më të rënda. Format më të shpeshta të afazisë janë Afazia Broca, e cila është jo fluente dhe prek vetëm aftësinë për të folur dhe Afazia Wernicke, e cila është fluente, por prek të kuptuarin.
Të dhënat
Aktualisht në vendin tonë, në repartin e Neurologjisë vijnë mesatarisht 5 raste të reja në ditë me aksidente vaskulo-cerebrale të moshave mbi 40 vjeç dhe një pjesë e tyre, krahas problematikave të tjera, shfaqin Afazi. Në botë, aksidenteve vaskulo-cerebrale (AVC) janë shkaku i tretë madhor i vdekjeve dhe sipas një studimi të publikuar në 2016, 1/3 e pacientëve të prekur nga AVC shfaqin Afazi. Në Amerikë, 1 në 250 individë shfaq Afazi. Aktualisht jemi duke bërë dhe një studim dhe në Shqipëri në lidhje me këtë problematikë, për të patur një tablo sa më të qartë se sa prej këtyre individëve shfaqin Afazi.
Rehabilitimi
Duke qenë se shërbimi i Logopedistit mungon, shpeshherë është mjaft e vështirë për personelin të kuptojë se çfarë ka nevojë pacienti. Ndërhyrja logopedike sa më herët është mjaft e rëndësishme, për të krijuar një urë komunikimi mes pacientit dhe mjedisit përreth. Një ndërhyrje e vonë në kohë, mund të bëjë që pacienti të ketë më pak shanse për rikuperimin e të folurit, duke e bërë atë një individ me aftësi të kufizuara. Rehabilitimi logopedik konsiston në përdorimin e teknikave dhe ushtrimeve të ndryshme për riaftësimin e të folurit, por edhe në rastet kur kjo nuk është e mundur, krijohet një urë komunikimi nëpërmjet Komunikimit Alternativ Aumentativ. Logopedisti përdor gjithë instrumentet e tij për ta ndihmuar pacientin të komunikojë në një formë apo në një tjetër. Pothuajse gjithnjë rehabilitimi logopedik është i shoqëruar me fizioterapi. Duke qenë se këta individë janë adultë, të cilët kanë një profesion, kanë një punë, të qenit të paaftë për veten, për të punuar, për të mbajtur familjen është një barrë e madhe për ta dhe në shumicën e raste është e këshillueshme që pacienti të bëjë disa seanca me psikologun, pasi pacienti mund të shfaqë depresion. Në vendin tonë këtyre individëve u lidhet një pension invaliditeti duke qenë se janë tashmë të paaftë për të punuar, duke rritur kështu kostot e shtetit. Kjo vjen si pasojë e mosndërhyrjes së hershme me logopedi e fizioterapi që këta persona të riaftësohen për jetën. Si e përmenda dhe më parë, duke qenë se logopedisti mungon si figurë mjekësore në repartin rehabilitues, shanset që këta pacientë dhe familjarët e tyre të informohen në kohë dhe të mund të veprojnë duke iu drejtuar logopedistit, janë të vogla.
Llojet e rehabilitimeve logopedike që ofrohen janë:
- Terapi intensive e të folurit- me minimum 3 seanca në javë për të stimuluar të folurin verbal;
- Terapia e intonacionit melodik -për të stimuluar të folurin e kënduar te pacientët jofluentë;
- Komunikimi Alternativ Aumentativ -ku në mungesë të komunikimit verbal zgjidhet një modalitet tjetër komunikimi, nëpërmjet figurave, tabelave apo mjeteve teknologjike;
- Komunikimi me script – ku për të thjeshtëzuar komunikimin logopedisti ndërton disa skripte me pyetje-përgjigje në kontekste të jetës së përditshme dhe aktivitete sociale, që pacienti t’i artikulojë deri sa t’i bëhen automatike si shprehi;
- Tele-rehabilitation-është një teknikë e re e cila është duke u zhvilluar së fundmi, ku logopedisti dhe pacienti me afazi mund të shohë e dëgjojë terapistin dhe udhëzimet e tij nëpërmjet webcam.