Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi, i ftuar në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, paralajmëroi se me lëvizjen e re politike që ai do të krijojë, nuk kërkon t’i ngjajë partive të tjera të djathta, që janë krijuar ndër vite.
Patozi mori si shembull partinë e Genc Pollos në 2001, duke theksuar se në këtë vit, Pollo iku me dëshirën e tij, ndryshe nga ai. Në vitin 2001, Pollo krijoi Partinë Demokratike të Re për tu rikthyer në PD pak vite më vonë.
“Pollo ka ikur për të dëmtuar PD-në. Për t’i futur thikën Partisë Demokratike. Ai iku vetë. Nuk e përzuri askush, ai iku vetë për të dëmtuar PD-në. Ai iku e dëmtoi PD-në, dhe u kthye e mori gjysmën e Partisë Demokratike.”
Me tone jo pak ironike, Patozi nënvizoi gjithashtu se Genc Pollo mund të konsiderohet aktualisht “model suksesi”, sa kohë që kontrollon gjysmën e PD-së.