Partia Demokratike i është drejtuar Presidentit të Republikës që të shkarkojë gjyqtarin Admir Thanza, me arsyen se ky i fundit ka fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimin në Itali.
“Apelojmë Presidentin e Republikës, si organ kushtetues përgjegjës për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, që të urdhërojë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit Admir Thanza, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga ligji i dekriminalizimit”, thuhet në deklaratën e tyre.
PD thotë se KPK duhej ta kishte shkarkuar gjyqtarin Thanza që në prill të 2018-s, kur janë vendosur në dijeni të këtij fakti.
Kjo forcë politike kërkon gjithashtu edhe fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit të lartë, për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
KPK-ja bëri të ditur ditën e sotme se Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë.