Në ditët e pushimeve, rrjetet sociale nuk e ndalën punën e tyre. Një video-spot për emisionin e Ermal Mamaqit, ku i pranishëm do jetë kryeministri Edi Rama, u diskutua më shumë se çdo gjë tjetër.
Pas kësaj video u prodhuan dhjetëra meme dhe pati një diskutim të fortë për vetë prezantuesin Ermal Mamaqi.
Sociologu Ergys Mërtiri e akuzoi ashpër Mamaqin për rolin e tij në atë që ai e quan ‘pastrimi i figurave’ si Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Të tjerë u morën me një foto të Ramës, ku në sfond duket një oxhak i bukur. Një faqe në FB shkroi se oxhaku kushton së paku 18 mijë euro. Lajmi mori dhenë dhe u botua në disa portale.
Duhet thënë se portalet, që e publikuan janë kryesisht periferikë.
Megjithatë kjo nuk e ndali kryeministrin që të bëjë një reagim publik.
“Qenka mbushur kazani i plehrave të pas festës së Vitit të Ri me oxhakun tim kozmik, që kadrinjtë e kanë zbuluar me rreze lazer në spotin e Ermalit. Eh, ja që s’është as oxhaku as shtëpia ajo, po atelieja e mikut tim qeramist, ku bujarisht jam i mirëpritur për orët e mia krijuese,” shkruan Rama.
Si ilustrim, Rama postoi lajmin nga një portal që duhet thënë se nuk është pranë opozitës së djathtë, por zërat thonë se është i një njeriu që dikur ka qenë shumë pranë Ramës.