Kryeministri i vendit Edi Rama, u është përgjigjur sërish studentëve, duke thënë se është e gatshme t’i plotësojë të gjitha kërkesat. Rama tha se i fton dhe në sallën e Kuvendit studentët, të diskutojnë hapur me të.
“Janë të ftuar në çdo moment edhe këtu në këtë sallë, nëse dëshirojnë që të diskutojnë hapur lidhur me 8 pikat e tyre, por edhe më shumë se kaq, kjo sallë është në dispozicion. Opozita reale e vendit sot janë ata studentë që kanë vendosur të ngrenë krye ndaj një sistemi të universitetit që i ka marrë peng. Na kanë dhënë shuplakë, e na kanë shkundur që t’i hapim sytë më shumë te ajo që ndodh brenda mureve të universitetit. Ky parlament apo çdo sallë janë hapësira ku mund të diskutojmë me studentët,” tha Rama.
“Por çfarë fshihet pas mohimit të dialogut, pas asaj propagande që investohet nga ndërmarrja e doktoreshës dhe SHQUP-it këtu, dhe nga ai profesor Qorri. Nga njëra anë qëllimi që këto të mos zgjidhen dhe që studentët të acarohen në mënyrë artificiale nga një opozitë që që kur ka humbur zgjedhjet, kërcënon për kaos e destabilizim e revolucion, çfarë fshihet? Kjo është arsyeja pse unë refuzoj që këto 8 pika t’i plotësoj sikur janë 8 porosi për një dyqan”.
Por duket se kryeministri shqetësohet vërtet nga fakti që komunistët dhe neokomunistët po infiltrohen në protestë. Njësoj si në rrjetet sociale, Rama u shpreh se po shfaqen fantazmat e Partisë së Punës. Ai përmendi rastin e profesor Sherif Bundos.
“Një fantazmë e Partisë së Punës, një doktor që doktoraturën e ka bërë me titullin: Efiçenca e kalit në ekonomi. Unë e dija se ishte në botën tjetër, një personazh që nuk e gëlltisnim dot kur dolëm në vitin 1990, u flet studentëve sot se pse nuk duhet të dialogojmë,” tha Rama i irrituar.
“Më kollaj e besoja që fluturon gomari, se sa që këto imazhe s’janë arkiva filmash të gjyqeve komuniste kundër armikut të klasës! Po jo, janë të freskëta fare mu nga mbrëmja e sotme në Fakultetin Ekonomik. Dhe kaq shumë jam tronditur, sa që më bëjnë sytë sikur oratori është Sherifi, një enverist që në fundvitet ’90 drejtonte Komitetin Kombëtar të Turizmit si socialist dhe porosiste hotel-turizmat ta merrnin djathin tek i vëllai në Përmet. Po as vetë ai, i shkreti Shero që kishte zbuluar efiçencën e kalit në ekonomi në një studim doktorature, s’do ishte dot kaq fantazëm e të shkuarës sa ky oratori këtu. Të cilin nuk e njoh, po Zoti i ruajt studentët tanë nga të tilla fantazma që u tregojnë se ç’duhet të bëjnë me jetën e tyre,” shkruante Rama më herët në IG.