Portali i njohur, Politico, ka publikuar një shkrim të gjatë dedikuar vizitës së kryeministrit Edi Rama në Bruksel.
Rama thotë se Shqipëria do të futet në Bashkimin Europian përpara Serbisë.
Rama përdor çështjen e Kosovës, për të thënë se ajo do pengojë Serbinë.
Nga ana tjetër, Rama shprehet se Shqipëria do marrë një rekomandim për hapjen e negociatave.
Por diplomatët shqiptarë thonë për Politico se druhen se do jenë Franca, Gjermania dhe Holanda që kanë rezervat e tyre.
Rama thotë se Shqipëria ka bërë përparim, duke cituar reformën në drejtësi.
“Për hir të sigurisë, Europa duhet të pranojë Ballkanin. Kjo është e qartë,” shprehet Rama.
Edhe portali shkruan se tashmë po bëhet e qartë në Bruksel se Ballkani Perëndimor duhet pranuar në union për shkak të sigurisë.
Sa i përket Ramës, portali shkruan se “kritikët e akuzojnë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndarë politikën nga kontrolli i oligarkëve”.
“Ai akuzohet se ka denigruar punën e gazetarëve në një vend ku reporterët përballen me kërcënime serioze për investigimin e krimit dhe korrupsionit”.
Vetë Rama thotë se është kritik për disa media.
“Unë përdor kryesisht një fjalë turke për versionin shqiptar të ‘lajmeve false’, që është ‘kazani’,” tha Rama.
Gazetarët shqiptarë nga ana e tyre thonë se këto komente fyese mund të minojnë besimin e publikut tek puna e tyre.