Marsi në Lajpcig karakterizohet nga leximi. Panairi i Librit dhe festivali i saj i leximit “Leipzig liest” janë ngjarjet pranverore të librit dhe medias. Autorët, lexuesit dhe shtëpitë botuese takohen për të mbledhur informacione, për t’u angazhuar në shkëmbimet kulturore dhe për të zbuluar se çfarë është e re. Nga 15 deri më 18 mars në këtë panair të rëndësishëm të botës gjermane Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj me autorë të ftuar: Gazmend Kapllani, Thanas Medi, si dhe Manjola Hasa
Marsi në Lajpcig karakterizohet nga leximi. Panairi i Librit dhe festivali i saj i leximit “Leipzig liest” janë ngjarjet pranverore të librit dhe medias. Autorët, lexuesit dhe shtëpitë botuese takohen për të mbledhur informacione, për t’u angazhuar në shkëmbimet kulturore dhe për të zbuluar se çfarë është e re. Nga 15 deri më 18 mars, panairi i librit hap gjithashtu edhe një hapësirë për të menduar për shoqërinë e së nesërmes, për të tretën herë me programin Europa 21 me titullin “A jemi vërtetë më të mirët? Reflektimi është e kaluara e Europës, diskutimet për të tashmen, dhe zhvillimi i ideve për të ardhmen e kontinentit. Vizitorët e panairit zgjedhin panelet e gjashtë diskutimeve në të ashtuquajturën “Café Europa” ose duke u bashkuar, të premten në mbrëmje, në forumin për Europën. Perceptimet e ndryshme mbi disa ngjarje të ndjeshme historike, shkëmbimet e lira nga kufizimet politike, të lira nga egoizmat kombëtare…kështu Lajpcig
ngre edhe një perspektivë nga jashtë duke marrë rëndësi mbi atë se si lëviz dinamika e mendimit në Europë. E në këtë dinamikë është e përfshirë edhe Shqipëria ku letërsia shqipe prezantohet me stendën e saj, e ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare
bashkëkohore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, duke e quajtur si prurja më e mirë e letrave shqipe në vitet e fundit, janë zgjedhur për t’u përfaqësuar disa shkrimtarë të vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në tri vitet e fundit, si: Bashkim Shehu, fitues i Çmimit Balkanika 2015, Rudi Erebara, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, Idlir Azizaj “Autori i Vitit 2017”, Agron Tufa “Autori i Vitit i Panairit të Librit”, Parid Teferici, Virion Graçi, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku e të tjerë.
Mimoza Hysa, drejtore e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës në një intervistë për Ora News, tha se kanë zgjedhur të jenë të pranishëm në këtë panair pasi i jep më shumë mundësi autorit. “Kemi zgjedhur të jemi në Panairin e Lajpcigut sepse i jepet më shumë mundësi autorit të ketë biseda të zgjeruara dhe natyrisht këto takime bëhen për të nxitur përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj. Takime të tilla kanë bërë të mundur që autorët të kenë pasur kontrata dhe përkthime të librave të tyre në gjuhën gjermane. Një lajm i mirë është dhe hapja e fondit të përkthimeve nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj që Ministria e Kulturës e ka ndërmarrë për herë të parë. Është viti i dytë që funksionon dhe janë përkthyer rreth 12 libra nga gjuha shqipe”. Të ftuar në stendën shqiptare do të jenë autorët Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që jeton prej njëzet vitesh në Greqi e që përmes krijimtarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal. Thanas Medi, i cili në një pjesë të mirë të krijimtarisë trajton jetën e një pakice kombëtare në Shqipëri, si vllehët, si dhe historinë e një brezi që përjetoi ndryshimet e mëdha të viteve nëntëdhjetë. Dhe brezi i më të rinjve prezantohet me Manjola Nasin, përkthyese dhe poete që sjell një lirikë urbane dhe imazhiste. Kjo është një mundësi e shumë që autorët shqiptarë të prezantohen aty me lexime, intervista të hapura për publikun, të krijojnë kontakte me botues që iu hapin rrugën përkthimeve në gjuhë të tjera. Ministria e Kulturës ka menduar që në stendën shqiptare t’i bëhet homazh shkrimtarit Kasëm Trebeshina, duke e prezantuar atë pas vdekjes dhe për herë të parë në deklaratat publike të ministrisë, si simbol i disidencës. Profili i Trebeshinës shoqërohet nga një prezantimin i shkurtër i romanit “Odin Mondvalsen”, që është përkthyer tashmë në gjuhën gjermane.