Rikompozimi i qeverisë “Rama 2” nuk ka kaluar përmes një përcjelljeje zyrtare të propozimeve për ministrat e rinj, por ka qenë vetë Kryeministri, i cili ka takuar Presidentin Meta.
Mësohet se kreu i qeverisë ia ka dorëzuar personalisht Presidentit të Republikës, të premten pasdite, 17 propozimet e tij për ndryshimet në qeveri, lirimet dhe emërimet në detyrë. Duket se, nisur dhe nga precedenti Sandër Lleshaj, Kryeministri Rama, përtej urimeve për Vitin e Ri, ia ka argumentuar kreut të shtetit nevojën e ndryshimeve, por dhe domosdoshmërinë për dekretimin e tyre pa vonesa.
Kreu i shtetit duket se e lidh mosshkarkimin e Bushatit me faktin se vendi ndodhet vetëm 6 muaj para marrjes së një përgjigjeje pozitive për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe se pozicioni i ministrit të Jashtëm duhet të jetë shumë i konsoliduar.
Për Besa Shahinin, si ministre e Arsimit dhe Sportit, Anila Denajn, ministre e Financave dhe e Ekonomisë, Elva Margaritin, ministre e Kulturës dhe Belinda Ballukun, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Presidenti Meta ka kërkuar më shumë informacion, pasi ata nuk janë as deputetë. Dekretimi pa asnjë vonesë i Presidentit Meta lind nevojën e një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit, pasi seanca e parë e këtij sesioni është data 21 janar.
Sipas neneve 98 dhe 99 të Kushtetutës, ku theksohet se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”.
Mësohet se sot, kryetari i Kuvendit dhe kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, do të vendosin se cila do të jetë dita kur kryeparlamentari do të thërrasë në seancë të jashtëzakonshme Parlamentin brenda 10 ditëve për votimin e dekreteve të Presidentit Meta për shkarkimet dhe emërimet e ministrave./PANORAMA/