Mjekët, infermierët dhe profesionistët e Shëndetësisë do t’i nënshtrohen provimit të shtetit duke nisur nga 7 maji e deri më 22 të këtij muaji.
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar kalendarin, ku të parët që do testohen do të jenë mjekët, më pas farmacistët, stomatologët dhe do përfundojë me të rinjtë që janë diplomuar për Teknik Laboratori. Pa marrë provimin e shtetit asnjë prej këtyre profesionistëve nuk mund të punësohet.
Provimi
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionet e rregulluara të mjekut, farmacistit, stomatologut, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të imazherisë dhe teknikut të laboratorit ju bëjmë me dije sa më poshtë: Provimet e shtetit për këto profesione të rregulluara do të zhvillohen brenda periudhës kohore nga java e dytë deri në javën e katërt të muajit Maj 2018″, thuhet në publikimin e Agjencisë Kombëtare të Provimit
Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ndërsa kandidatët duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit.
Kandidati vlerësohet me notën 10 nëse merr 95-100 pikë. Sakaq, ky i fundit vlerësohet me notën 4 nëse merr më pak se 50 pikë. Provimi i shtetit cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5. Kandidati i vlerësuar me notën 4, përsërit provimin.