Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, studentët e zhvendosën protestën e tyre para Kryeministrisë.
“Unë kam marrë mesazhe kërcënuese nga fakulteti im dhe pedagogët e mi. Unë kam kushte për të paguar por dua të jem këtu. Rrënjët në Shqipëri janë shumë të kalbura. Nuk e di ku i kam shokët e mi sot, se kanë ikur nga Shqipëria, pse duhet të ikim edhe ne. Tani mbaron seanca, kush është t’i bllokojmë rrugën deri sa të votojnë ligjin tonë”, u shpreh një student.
Me argumentin se është institucioni që vendos për ligjet, studentët kanë marshuar drejt Kuvendit. Nga policia nuk është kërkuar që mos tubohet, por është kërkuar që të mbajnë distancë pasi është krijuar një kordon i dytë policor.
Nuk dihet nëse do të ketë ndalim të qarkullimit të automjeteve, pasi varet nga numri i studentëve që do marrin pjesë në protestë.
Ndërkohë një përfaqësi e studentëve shqiptarë, të hedhur në protesta masive në kërkim të plotësimit të 8 pikave, të cilat sipas tyre do të përmirësojnë, lehtësojnë një arsimim të lartë cilësor në Shqipëri, i kanë drejtuar një peticion ambasadës së SHBA-vë në vendin tonë.
Lajmin e bëri të ditur aktivisti Aulon Kalaja, i cili u shpreh se më tepër se 10 studentë të zgjedhur nga disa fakultete të Universitetit të Tiranës i janë drejtuar ambasadës amerikane ku kanë dorëzuar një peticion/kërkesë për ndihmë në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.
“Më shumë se dhjetë studentë kanë kërkuar mbështetje nga Ambasada Amerikane, pasi ata thonë se është momenti që të lëvizin dhe ndërkombëtarët. Ata janë pritur në ambasadë dhe kërkesa e tyre është administruar”.