Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi javën e shkuar zgjedhjet e Qeverisë Studentore ku tashmë u plotësua me 27 senatorë të rinj dhe në tërësinë e saj kjo strukturë është e përbërë nga 48 përfaqësues të zërit të studentëve në të gjithë universitetin
Nga Mirgen Çela
Javën e kaluar u zhvillua zgjedhja e parë e Qeverisë së re Studentore në Universitetin Europian të Tiranës. Nga kandidaturat e prezantuara, janë shpallur 27 fitues. Senatorët e rinj kanë prezantuar objektivat e tyre për detyrën ku janë zgjedhur me votat e studentëve. Këta studentë kanë zgjedhur qeverinë e tyre të re, e cila do të merret me organizimin jo vetëm të aktiviteteve, por do shërbejë edhe si zëri përfaqësues në vendimmarrjen dhe politikat e universitetit në interes të tyre. Si proces, rinovimi i kësaj strukture zgjati rreth një muaj, ku studentët zhvilluan një fushatë duke u prezantuar dhe premtuar ndaj grupeve të tyre, duke fituar besimin dhe duke marrë votat e caktuara për të qenë pjesë e Qeverisë Studentore për t’i përfaqësuar ata denjësisht në çdo aktivitet dhe problematikë që kanë. Gjatë votimeve që u zhvilluan nga grupet e ndryshme të studimit është vënë re një pjesëmarrje e konsiderueshme votuesish të cilët kanë shprehur vullnetin në lidhje me përfaqësuesit e tyre të ardhshëm. Procesi i numërimit të votave dhe i shpalljes së fituesve ka qenë po ashtu transparent, duke siguruar edhe një herë cilësinë e këtyre zgjedhjeve dhe rëndësinë që Qeveria Studentore ka në shprehjen e vullnetit të studentëve të UET dhe dëgjimin e zërit të tyre. Organizimet studentore janë aktorë të rëndësishëm të jetës së universitetit, krahas stafit akademik dhe personelit administrativ. Të krijuar nga vetë të rinjtë dhe të mbështetur nga stafi akademik ato përfaqësojnë angazhime dhe interesa të ndryshëm, të lidhur shpesh edhe me degët e studimit. Qeveria Studentore është një organizëm jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Filozofia e Universitetit Europian të Tiranës gjithmonë ka patur në qendër studentët dhe pa diskutim që bashkëpunimi i universitetit me studentin është i rëndësishëm.
Administratori i Universitetit Europian të Tiranës Arbi Agalliu, është i mendimit se organizimet studentore janë aktorë të rëndësishëm të jetës së universitetit, krahas stafit akademik dhe personelit administrativ.
“Si administrator i Universitetit Europian të Tiranës dhe si pedagog prej shumë vitesh ndihem mirë kur zëri i studentëve ndihet dhe kërkon ndaj institucioneve arsimore. Në këtë kontekst, që nga dita e tij e parë Universiteti Europian i Tiranës ka patur dhe ka në vëmendje studentin. Kjo do të thotë që studentit t’i krijosh të gjitha kushtet dhe ta mundësosh atë që jeta studentore t’i bëhet sa më e lehtë në marrjen e dijes, në ndërgjegjësimin qytetar si dhe në funksion të marrjes së përgjegjësive sociale. UET ndër strukturat më të rëndësishme ka Qeverinë Studentore. Qeveria Studentore është një lloj detyrimi ndaj pjesës tjetër të studentëve, pra Qeveria Studentore në Universitetin Europian të Tiranës ka tre objektiva kryesorë. Së pari, të përcjellë në mënyrë të vazhdueshme problematikat që kanë studentët te pjesa e mësimdhënies, pra me përgjegjësit e departamenteve, me dekanen e studentëve, si dhe me problemet administrative të universitetit. Pra, të evidentohen problematikat dhe çuarja e problemeve në zyrat përkatëse. Në këtë mënyrë përmirësojmë dhe ne shërbimin që ju ofrojmë juve si studentë, duke u bazuar në atë që ju kërkoni dhe çfarë ju shqetëson. Objektivi i dytë ka të bëjë me jetën studentore. Nuk ka asnjë nga ju që ta kalojë kohën vetëm në libra. Sot metodologjia e mësimit ka shkuar në atë që quhet mësimi interaktiv. Nëpërmjet aktiviteteve, projekteve etj. UET ofron aktivitete argëtuese, akademike si dhe klube studentore ku mund t’i zgjidhni sipas profileve që studioni ose jo. UET ka synim ta përmirësojë jetën tuaj studentore, zhvillimin e kësaj jete gjë që e bën studentin më kreativ, e bën të mos e shikojë shkollën si një godinë ku do mësojë dhe të ikë, por dhe të aktivizohet duke u argëtuar. Universiteti Europian i Tiranës, mundëson studentët e tij që të punojnë dhe part time duke qenë në prag të përfundimit të diplomimit në këtë institucion, nëpërmjet dekanes së studentëve dhe presidentes së Alumnit të kontaktojë me kompanitë të cilat ne kemi marrëdhënie. Ne kemi programin 500 +, janë 500 kompani që kanë marrëveshje zyrtare me universitetin të cilët marrin studentë por dhe na ofrojnë neve specialistë të tyre për t’i futur në orët e leksionit etj. Procesi mësimor, jeta studentore dhe tregu i punës janë në themel të Qeverisë Studentore. Kushdo që të përzgjidhet ka rëndësi të përfaqësojë denjësisht klasën e tij. Ne investojmë shumë te studentët. Që ta kuptojmë se ku doni të shkoni, të kuptojmë se çfarë shkon dhe jo, duhet një farë kontakti dhe një lloj ure lidhëse që jeni ju Qeveia Studentore e cila menaxhohet nga dekania e studentëve si dhe presidentja e Qeverisë Studentore. Në ditët e sotme fiton ai që flet hapur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Duhet që një student të jetë në kohë në raport me problemin dhe të mos heshtë në asnjë moment. Universiteti Europian i Tiranës ofron një ndërthurje më së miri të dëshirave të studenteve si dhe detyrimeve akademike”, – shprehet Agalliu.
Odeta Cacaj, dekania e studentëve si dhe ish-presidentja e Qeverisë Studentore në mandatin e saj dyvjeçar, është shprehur se për të ishte një përvojë e bukur dhe plot përgjegjësi. Për të ka qenë eksperiencë shumë e larmishme dhe interesante. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete, organizime konferencash, prezantime kërkimore, mbledhje departamentesh, festa, programe televizive, udhëtime, promovim librash, panaire të ndryshme, ceremoni “Honoris Causa” etj. Cacaj i shprehu mirënjohje studentëve të rinj të cilët u bënë pjesë e Qeverisë Studentore dhe i sugjeroi që ata të jenë sa më aktivë dhe të pranishëm jo vetëm për të përfaqësuar studentët, por edhe për ta jetuar të plotë jetën studentore.
“ Qeveria Studentore është ajo që duhet të marrë pjesë në kritikat e thëna të procesit mësimor. Pres të gjithë studentët të vijnë në zyrë dhe të diskutojmë ide ose ankesa të logjikshme. Çdo gjë që mund të zgjidhet në mënyrë etike etj. Nëse është dikush që nuk respekton auditorin, ju keni të drejtën ta komunikoni nëpërmjet strukturave që UET ofron për të zgjidhur çdo problematikë. Rregullat janë të qartë të vendosur. Rregullorja e universitetit heq shumë pikëpyetje mbi çështjet që përballeni gjatë vitit akademik. Për vitet e para dua të them që këtë vit kemi një riorganizim në degët e reja në Universitetin Europian të Tiranës, p.sh. kemi përfaqësime në arte, në Shkenca Mjekësore Teknike etj. Uroj shumë suksese për të gjithë studentët. Ju jeni një strukturë e mirëvendosur në universitet dhe jeni pjesë e ligjit të arsimit. Ju mund të sillni ndryshimin, duhet të jeni të vendosur dhe do keni sukses. Unë kur isha pjesë e Qeverisë Studentore isha shumë kreative, kërkoja të dija çdo gjë, prandaj ju sugjeroj që dhe ju të jeni aktivë për një të ardhme më të mirë”, – u shpreh Cacaj.
Nën moton “ZGJIDHU TI”, flasin studentët që u bënë pjesë e Qeverisë Studentore
Emanuela Maraj, presidentja e Qeverisë Studentore në Universitetin Europian të Tiranës është përfituese e bursës “Pashko” nisur nga eksperienca e saj personale e cila u zgjodh presidente e Qeverisë Studentore në UET një vit më parë, u ka thënë të rinjve të cilët kanë kandiduar për të qenë përfaqësues të grupeve të tyre të studimit në Qeverinë Studentore, se është një proces shumë i rëndësishëm, ata që janë zgjedhur duhet të jenë të denjë si përfaqësues dhe të kontribuojnë me idetë e tyre.
Çdo vit zgjedhjet e Qeverisë Studentore marrin një vëmendje të veçantë në Universitetin Europian të Tiranës në zgjedhjen e përfaqësuesve të denjë të fjalës së studentit për çdo program studimi. Unë këtë proces kaq të rëndësishëm në mbarëvajtjen e jetës studentore e ndiqja nga një tjetër këndvështrim dhe pozicion këtë vit të ri akademik. Vitin e kaluar unë kam qenë vetë pjesë e procesit të zgjedhjes së përfaqësuesve të rinj të Qeverisë Studentore dhe mund t’i kuptoja shumë mirë emocionet, pasigurinë dhe dëshirën e kandidimit për çdo student të interesuar për të qenë pjesë e këtij organi përfaqësues, – shprehet Emanuela.
Emanuela është një ndër përfitueset e bursës “Pashko” dhe tashmë ajo studion për Teknologji Informacioni. Ajo shprehet se mundësia e zgjedhjes dhe fjala e lirë e studentit i kanë mundësuar që ajo sot të jetë përfaqësuese jo vetëm e degës së saj të studimit por si përfaqësuese e të gjithë senatorëve.
“Falë Bursës Pashko unë jam studente e Teknologjisë së Informacionit në Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës dhe mundësia e zgjedhjes dhe fjalës së lirë të studentit më ka mundësuar që unë sot jam përfaqësuese jo vetëm e vitit tim të studimit por e fjalës së të gjithë senatorëve, si Presidente e Qeverisë Studentore. Ky pozicion në hierarkinë e zgjedhur të studentëve në Universitetin Europian të Tiranës më ka bërë pjesë e Zyrës së Kujdesit ndaj Studentit dhe të jem pranë studentit në përmbushjen e çdo detyrimi dhe aktivizimi në jetën studentore, si edhe pjesë të Senatit Akademik ku zëri i studentëve përcillet në marrjen e vendimeve të rëndësishme akademike”, – shprehet Emanuela.
Siç ndodh gjithmonë në Universitetin Europian të Tiranës zgjedhjet në qeverinë studentore morën një vëmendje të veçantë dhe mobilizuan jo vetëm zyrën e Kujdesit ndaj Studentit por gjithë studentët e rinj të UET.
“Të gjithë studentët e viteve të para tashmë në një universitet të ristrukturuar me 5 fakultete, programe studimi të reja si dhe programe profesionale 2-vjeçare patën mundësinë duke filluar që nga data 10 Dhjetor të bëheshin pjesë e procesit në të gjitha fazat e tij nga interesi i kandidimit, kandidatët aspirantë deri te votimi. Muaji Dhjetor ishte muaji më i përshtatshëm për të hapur thirrjet për kandidatët aspirantë pasi studentët që nga fillimi i vitit akademik e kishin marrë kohën e duhur për të njohur njëri-tjetrin, pikat e dobëta dhe të forta dhe cilësitë e lidershipit te gjithsecili. Nga data 10-13 Dhjetor, Zyra e kujdesit ndaj studentit ka qenë e hapur për të pritur kandidatët potencialë që dëshironin të aplikonin për të qenë pjesë e Qeverisë Studentore. Ata kanë plotësuar një formular regjistrimi, në të cilin prezantonin veten dhe arsyet e këtij aplikimi. Datat 17-18 Dhjetor i gjetën kandidatët në Fushatë për të prezantuar idetë, platformën dhe çfarë ata do të sillnin ndryshe në grupet e tyre të përfaqësimit. Data 17 Dhjetor shënoi një fushatë përmbledhëse për të gjithë kandidatët aspirues, ku ata u prezantuan me njëri-tjetrin dhe diskutuan idetë duke forcuar mendimin mbi rëndësinë e të qenit senator, zë i studentit”, – tha Emanuela.
Nën moton “ZGJIDHU TI” në datat 19-21 Dhjetor studentët e viteve të para shkuan drejt kutive të votimit për të dhënë vendimin e tyre për pjesëtarin më të ri të qeverisë studentore.
“Tanimë Qeveria Studentore u plotësua me 27 senatorë të rinj dhe në tërësinë e saj kjo strukturë është e përbërë nga 48 përfaqësues të zërit të studentëve në të gjithë Universitetit Europian të Tiranës”, -përfundon Emanuela.
Greta Pohumi, studente e Universitetit Europian të Tiranës në profilin Juridik, është zgjedhur javën e kaluar nga grupi i saj i studimit, si përfaqësuese e denjë në Qeverinë Studentore të UET-it. Ka zgjedhur këtë degë studimi duke e konsideruar si një sfidë intelektuale, gjithashtu, një degë që për të është e sugjeruar nga familja e saj. Ajo shprehet se përmbushja personale është shumë e rëndësishme për një sukses të garantuar në atë që bën.
“Si shumë prej bashkëmoshatarëve të mi, sugjerimin e parë në lidhje me këtë profil studimi e kam marrë nga familja, por dhe nga dëshira ime pasi mendoj se një karrierë në drejtësi është intelektualisht sfiduese, financiarisht shpërblyese dhe e përmbushur personalisht. Për mua përmbushja personale është shumë e rëndësishme për të patur sukses. Nuk e shikoj juridikun vetëm si një profesion por dhe si një mjet që unë do t’i shërbej popullit, pra do të jem në shërbim të të tjerëve. Ligji për mendimin tim ka të bëjë me të drejtën, drejtësinë dhe të kuptuarit e sjelljes njerëzore dhe gjithë shoqërisë. Ky profil studimi jam e bindur se do më ndihmojë në përmirësimin e standardeve të mendimeve të mia, aftësive dhe njohurive më të zgjeruara. Mbi të gjitha më jep mbështetjen më të madhe në kërkimin e të drejtave të mia dhe të të tjerëve që iu cenohet kjo e drejtë”, -shprehet Greta.
Të jesh një senator, një drejtues apo një përfaqësues është kënaqësi. Greta shpreh mirënjohjen e saj për të gjithë ata që e votuan për t’u zgjedhur si senatore dhe përfaqësuesja e tyre në Qeverinë Studentore.
Gjatë periudhës së gjimnazit kam qenë në rolin e “drejtueses” së një grupi të caktuar për projekte, ndërsa eksperienca ime si senatore, përfaqësuese e grupit, klasës sime ka ndodhur vetëm këtë herë në Universitetin Europian të Tiranës. I jam shumë mirënjohëse atyre që më votuan për t’i përfaqësuar si grup në Qeverinë Studentore. Jam e gatshme për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrat që më presin, -tha Greta.
Aftësitë akademike janë të mëdha në universitet. Gjatë kandidimit për të qenë pjesë e një prej strukturave më të rëndësishme të universitetit siç është Qeveria Studentore, Greta shprehet se konkurrenca ishte goxha e ndjeshme, pasi kolegët e saj kishin goxha aftësi komunikimi.
“Konkurrenca ndihet në çdo moment, sidomos konkurrenca në universitet për sa u përket aftësive akademike e cila pak përmendet. Gjatë garës për senator sigurisht që do ishte pak më e ndjeshme konkurrenca, ose të themi e dukshme duke marrë parasysh që kolegët e mi të cilët kandidonin, gjithashtu, ishin goxha të fortë, të aftë në oratori, dhe këto cilësi sigurisht që i bënin ndër të preferuarit e grupit ku studiojmë së bashku. Duke ditur aftësitë e mia në komunikim, etikën e punës dhe fleksibilitetin, mendoj se do të përshtatesha shumë mirë me Qeverinë Studentore dhe do të bashkëpunoja në harmoni të plotë me kolegët dhe stafin akademik. Do të kontribuoj çdo ide time dhe të kolegëve që përfaqësoj dhe shpresoj se do të jenë në dobi të të gjithëve duke përfshirë dhe universitetin”, – shprehet Greta.
Nuk është e hijshme të bëj krahasimet e dy institucioneve, por e rëndësishme është që tashmë jam pjesë e Universitetit Europian, shprehet Greta, e cila e ka kryer një vit studimi në UT. Ajo tha se pedagogët e UET-it janë të kualifikuar dhe se ky universitet ofron një gamë të gjerë aktivitetesh dhe klubesh studentore ku mund ta gjejnë veten të gjithë.
“Një vit studimi unë e kam kryer në universitetin shtetëror. Nuk dua të them detaje për të nxjerrë në pah të metat e një institucioni në krahasim me një tjetër sepse nuk është qëllimi im, por mund të them që dallimi në cilësinë e mësimdhënies në Universitetin Europian të Tiranës janë tepër të dukshme. Pedagogët janë të kualifikuar dhe tepër të komunikueshëm, mundësinë e leksioneve e kemi edhe nëpërmjet sistemit LMS, ka aktivitete pafund ku secili mund ta gjejë veten, ka klube studentore ku mund të angazhohesh. Të gjitha këto gjëra që UET-i ka të ndihmojnë në zhvillimin e horizontit padyshim. Jam dhe do të jem gjithmonë e kënaqur dhe krenare që jam në këtë universitet”, -tha Greta.
Plot vizion drejt së ardhmes Greta synon të bëhet një juriste e denjë dhe e kualifikuar. Sipas saj kjo degë studimi që ajo ka zgjedhur është një sfidë goxha e mirë intelektuale.
“Synimi im primar është të jem e aftë në profilin që po studioj dhe të jem një juriste e kualifikuar. Uroj që në të ardhmen të arrij marrjen e një bagazhi të gjerë dhe të pasur kulturor dhe profesional. Do të isha shumë e lumtur nëse në të ardhmen do të isha pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës”, -përfundoi Greta.
Sindi Syla, një tjetër studente e Universitetit Europian të Tiranës është zgjedhur javën e shkuar nga grupi i saj i studimit si përfaqësuese e tyre në Qeverinë Studentore, e cila është një prej strukturave më të rëndësishme të universitetit. Sindi studion në degën e Komunikimit me profil Marrëdhënie me Publikun. Ajo ndihet krenare dhe me fat që është pjesë e Universitetit Europian të Tiranës. Plot bindje ajo shprehet se investimi te vetja është një proces i vazhdueshëm për të patur sukses në karrierë.
“Në Universitetin Europian të Tiranës gjeta veten jo vetëm profesionalisht por edhe personalisht. Modeli më i përshtatshëm akademik dhe ambienti i ngrohtë social shkrihen në një. Ndihem krenare dhe me fat që sot jam pjesë e UET. Për mua UET-i është një familje e madhe ku harmonizohen virtytet njerëzore me punën, pasionin dhe bashkëpunimin. Duke qenë se ishte hera e parë që kandidoja për senatore, për mua ishte një sfidë po ashtu dhe kënaqësi e madhe. Senatori luan një rol të rëndësishëm në jetën e studentëve, sepse shërben si një hallkë lidhëse midis masës studentore dhe strukturave të universitetit. Senatori është zëri i të gjithë atyre që kërkojnë të dëgjohen dhe pika kyçe për zgjidhjen e problemeve me të cilat studentët përballen në universitet”, – shprehet Sindi.
Sindi tregoi pikat më të forta dhe arsyen se pse mendon se u përzgjodh mes të tjerëve si përfaqësuese e grupit të saj në Qeverinë Studentore.
“Pikat e mia më të forta, për të cilat studentët e tjerë me kanë votuar janë komunikimi, aftësitë organizuese, bashkëpunuese e bindëse, qetësia por edhe këmbëngulja. Synimet përtej zgjedhjeve studentore përfshijnë vetëm realizimin e dëgjimit të zërit tim për zgjidhjen e çdo problemi që studentët do të kenë. Mendoj se klima e zgjedhjeve në UET është shumë e mirë dhe karakterizohet nga një konkurrencë goxha të fortë, por mendoj që e kalova me mirëkuptim dhe qetësi. Mendoj se ky organizim ndihmoi në zgjimin e shpirtit konkurrues e ambicioz të çdo studenti dhe bëri në mënyrën më të mirë të mundshme evidentimin e liderëve të ardhshëm”.
Të kesh një ‘post’, të jesh përfaqësues i një grupi të caktuar sipas Sindit është kënaqësi, por dhe diçka me shumë përgjegjësi. Ajo shprehet se ‘të jesh pjesë në Qeverinë Studentore nuk ka vetëm kërkesa dhe ankesa, por mbi të gjitha synohet rritja intelektuale e gjithsecilit’.
“Roli i Senatorit është një rol i vështirë, por edhe i bukur. I vështirë, pasi duhet të jesh gjithnjë në kontakt të vazhdueshëm me çdo lloj studenti dhe të përpiqesh të gjesh zgjidhjen optimale të problematikave të tyre dhe i bukur pasi arrin të fitosh dhe të përmirësosh aftësitë prej ‘lideri’. Për sa u përket synimeve të tjera, ende nuk jam e vendosur, nëse do vazhdoj për ‘poste’ edhe më të larta. Gjatë kohës që jam në senat, do përpiqem që të zgjidh çdo lloj problemi të tyre, por gjithashtu do të mundohem që të zhvillohen sa më shumë aktivitete. Gjithsesi, pjesëmarrja në Qeverinë Studentore nuk ka të bëjë vetëm me kërkesa dhe ankesa, por mbi të gjitha ajo synon rritjen tonë intelektuale, ka të bëjë me ndarje idesh, propozime, studime, projekte të ndryshme që UET i mbështet në logjistikë dhe organizim. Një nga pikat kryesore të programit që do të zbatoj gjatë kohës si senatore është që studentët të jenë në sintoni të plotë bashkëpunimi dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit do të jetë guri i themelit të punës sime, pa harruar edhe gjithëpërfshirjen e studentëve në aktivitetet e ndryshme të Qeverisë Studentore dhe jo vetëm” – shprehet Sindi.