Kryeministri Rama tha dje se gjatë vizitës në Gjermani nuk i është kërkuar koka e Saimir Tahirit. I ftuar në emisionin “Top Show” në Top Channel, Rama tha se nuk ka asnjë provë apo akuzë nga Prokuroria e Katanias për ishministrin e Brendshëm.“Në Gjermani nuk më kërkoi njeri kokën e Saimir Tahirit. Më bënë vetëm një pyetje në Bundestagun gjerman dhe për atë pyetje unë dhashë përgjigje”, tha Rama. Kryeministri nuk tërhiqet nga vlerësimi i tij për ish- ministrin e Brendshëm për katër vitet e shkuara. “Unë vijoj të them sërish vlerësimin tim për ato punë të mira që ka bërë Saimir Tahiri gjatë periudhës që ka qenë ministër i Brendshëm, për thuajse 4 vite. Sa i përket hetimit të një grupi kriminal, ku në përgjime përmendet edhe emri i Tahirit, mund të them se deri tani prokurorët e Katanias, të cilët janë ‘skifterë’ për çështje të tilla dhe nuk do të falnin një ministër shqiptar, nuk kanë ngritur asnjë hetim për Saimir Tahirin. Madje as Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme për implikimin e Saimir Tahirit në trafikimin e kanabisit, ose të paktën nuk erdhi asnjë ditë ta paraqesë në Komisionin Parlamentar. Kësaj bindjeje i qëndrova deri në momentin që Tahiri vendosi të përballet si qytetar i lirë me drejtësinë, sepse tani e më pas, Prokuroria mund të bëjë ç’të dojë, pa pasur nevojë për Parlamentin”, tha Rama. I pyetur nëse dorëzimi vullnetar i mandatit të deputetit të Saimir Tahirit lidhet me hapjen e negociatave, Rama tha: “Absolutisht, nuk ka asnjë lidhje”.