Agjencia Reuters shkruan se më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë kërkon të largohet në vende më të pasura për një shkollim më të mirë. Kështu thuhet në një studim të kryer nga Russell King i Universitetit të Suseksit dhe kërkuesit shqiptar, Ilir Gedeshi.
Studimi gjeti se potenciali emigrator i Shqipërisë është rritur nga 44 përqind në vitin 2007 në 52 përqind.
Sipas Reuters, që pas rënies së komunizmit në vitin 1991, më shumë se 1.4 milionë banorë janë larguar nga Shqipëria, thuajse gjysma e popullsisë. Shumica e tyre janë vendosur në Itali e Greqi, por edhe në SHBA, Britani dhe Gjermani.
Studimin tregon se motivi ekonomik është arsyeja kryesore pse shqiptarët duan të emigrojnë, por tashmë preferencat janë largimi drejt Gjermanisë dhe SHBA.
“Emigrantët potencialë më herët ishin personat e papunë, të paarsimuar dhe pa zanat. Tashmë personat e edukuar, me aftësi, punë të mirë dhe gjendje të mirë ekonomike, duan të largohen,” thotë Gedeshi.
“Ne kemi gjetur se arsyet ekonomike vlejnë më pak për shkak se njerëzit tashmë duan të emigrojnë për një arsimim më të mirë. Një grup duan të largohen pasi nuk shohin të ardhme në Shqipëri”.