“Me ekipin e Suus ndodhemi në Los Anxhelos dhe po punojmë në versionin final të këngës në dy studio ndër më prestigjiozet në botë, ‘Ocean Way Recording’ dhe ‘Capitol Records”, – thotë përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong, këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, e cila vlerëson se kjo është eksperienca më e bukur e karrierës artistike. Versioni i ri i këngës duhet t’i përmbahet rregullave të “Eurovizionit”. “Kjo është eksperienca më e bukur që kam pasur. Rrahje të forta zemre dhe lot gëzimi. Shumë e bukur për t’u besuar. Muzikantë të mrekullueshëm. Do t’i kujtoj këto ditë për një kohë shumë të gjatë”, – na rrëfehet këngëtarja që nga Amerika. Udhëtimin e ka bërë të mundur Radio-Televizioni Shqiptar dhe kompozitori shqiptar në Amerikë, Aldo Shllaku. Aktualisht Rona po bashkëpunon me muzikantë të njohur si Mb Gordy, Michael Frondeli dhe kitaristin Reggie Hamilton, të cilët i shoqëron në piano maestro Shpëtim Saraçi. “Po bashkëpunoj me Mb Gordy, një perkusionist i mrekullueshëm. Me të madhin, Michael Frondelli, Reggie Hamilton dhe Shpëtim Saraçin në piano. Faleminderit RTSH-së, si dhe një falenderim të madh për Aldo Shllakun që më dha këtë mundësi. Po kështu, një falenderim shkon edhe për kompozitorin Florent Boshjnaku, që është bashkëpunëtori im në këtë projekt. Unë i falenderoj të gjithë publikun për mbështetjen që më kanë dhënë për këngën time Suus”. Për muzikën, ky grup po bashkëpunon me Orkestrën e harqeve Acapella. Kështu, stafi i realizimit të këngës ‘Suus’ ka nisur përgatitjet për ta sjellë këngën në formatin që kërkon Eurosong-u, sa i përket gjatësisë, bazës muzikore etj. Është menduar që në Eurosong të këndohet në shqip ndoshta vetëm një pjesë e refrenit në anglisht por kjo do të zbulohet më vonë. Është një ekip i tërë që po punon, për çdo fazë të punës, por siç shprehet vetë këngëtarja, versioni përfundimtar i këngës nuk është thjesht videoklipi, por dhe ajo që do të shfaqet në skenën e Festivalit Europian. Aktualisht po bëhet një punë intensive dhe më e madhe për të bërë një prezantim sa më të mirë të mundshëm. Ndërkohë, Rona duhet të marrë edhe shtetësinë shqiptare që të mund të përfaqësojë Shqipërinë, për të cilën tashmë kanë nisur procedurat. “Po përpiqem për më të mirën, prandaj edhe po bëj përgatitje intensive duke planifikuar çdo detaj të mundshëm jo vetëm unë, por edhe ekipi që është përkrah meje”, – thotë këngëtarja. Edhe vitin që shkoi, përfaqësuesja jonë në ‘Eurosong’, Aurela Gaçe udhëtoi për në Los Angeles për të incizuar versionin përfundimtar të këngës së saj “Kënga ime”. Këngëtarja nga Kosova do të performojë në natën e parë të festivalit, 22 maj, i cili këtë vit mbahet në Baku të Azerbajxhanit, së bashku me shtetet si Rumania, Greqia, Rusia, Belgjika, Hungaria etj. Nishliu është fituesja e edicionit të 50-të të Festivalit të RTSH-së, që u zhvillua në fund të vitit që lamë pas. Kënga “Suus” me tekst të saj dhe me muzikë e orkestrim të Florent Boshnjakut u vlerësua nga juria si këngë e punuar në mënyrë profesionale dhe e realizuar shumë mirë artistikisht. Këtë vit në ‘Eurovizion’ do të konkurrojnë 37 këngë në dy net gjysmëfinale, 22 dhe 24 maj, ndërsa finalja e madhe do të jetë mbrëmjen e 26 majit. Në natën e parë ku Rona do të këndojë e katërta, do të performojnë edhe përfaqësueset e 17 shteteve. Rona do të këndojë pas Malit të Zi, Islandës dhe Rumanisë. Sipas përzgjedhjes që ka bërë komisioni shihet se ata janë treguar të kujdesshëm për të mos “përballur” në të njëjtën natë Shqipërinë dhe Serbinë. Fakti që përfaqësuesja e Shqipërisë është kosovare ka hapur debat në faqen zyrtare të ‘Eurosong’-ut. Rona Nishliu, e lindur në Mitrovicë, është e para këngëtare kosovare që fiton Festivalin e Këngës në Shqipëri, një detaj ky që nuk u ka shpëtuar as të huajve, të cilët ngrenë pyetjen se si vallë do ta presin serbët pjesëmarrjen e saj në ‘Eurosong’. Madje, ata kanë bërë dhe një rishkrim të fëmijërisë së këngëtares kosovare, që sipas tyre vjen nga një familje e cila kishte jetuar në Mitrovicë deri në kohën që serbët i dëbuan nga shtëpia e tyre. A.Tuci
Me vjen shum keq pse harxhohen parate kot per ket festival i cili eshte zaptu komplet prej shteteve slavo-ruse. Edhe perkundrazi qe ska asnje vlere, nuk mund te fitosh se te gjithe ata votojne per veti. Jo te shkosh ne Los Anxheles -Holivood por edhe ne hene me e ba pregatitjen e kenges nuk ka asnje shans. Ma e mira eshte me e Braktis dhe me i lane si M… keta shtete injorante dhe pa asnje sens per muziken se sa xhdo vjet me bo shpenzime te kota si kenget paraardhese qe si votoj asnje prej ketire shteteve
kendo RONA kendo se nuk ke para borxh