Në limitet e afatit kushtetues, kreu i shtetit ka dekretuar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm. Më parë, po dje, Meta firmosi nxjerrjen në lirim, sipas kërkesës së vetë ish-gjeneralit.
Presidenti Ilir Meta ka firmosur dje fillimisht nxjerrjen në lirim të gjeneralit Sandër Lleshi dhe në mbrëmje e ka dekretuar atë për postin e ministrit të Brendshëm. Meta ka ndjekur këtë procedurë pasi statusi i tij si ushtarak, binte në kundërshtim me qenien anëtar i kabinetit qeveritar. “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”, shkruante zoti Meta në letrën drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, menjëherë pasi kryeministri Rama i ripropozoi emrin e zotit Lleshi si ministër të Brendshëm.
Propozimi i dytë
Më datë 9 nëntor, kryeministri Edi Rama e çoi për të dytën herë emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër të Brendshëm. Ai deklaroi se bashkëngjitur kërkesës do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të ministrit të Brendshëm. Nga ana tjetër, Presidenti Meta i dërgoi një letër Ministrisë së Mbrojtjes më 9 nëntor ku nëpërmjet 14 pyetjeve i kërkonte informacion për Sandër Lleshin dhe statusin e tij në Forcat e Armatosura. Në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thoshte se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi i Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese pasi është ushtarak aktiv. Por më 12 nëntor shefi i qeverisë iu përgjigjej pyetjeve të Metës me një shkresë të gjeneral Sandër Lleshit për ta zhdekretuar nga grada e tij, në mënyrë që të ishte brenda normave kushtetuese për ministër të Brendshëm. Por, afati kushtetues 7-ditor i presidentit po përfundon. Në këto kushte Meta dje ka patur një takim me kryetarin e Kuvendit, takim që mësohet se do t’i shërbejë gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare për postin e ministrit të Brendshëm. Por, çfarë do të ndodhë pas kësaj? Burimet thanë se, edhe afati i dytë kushtetues mund të digjet. Ndërkohë, të hënën kryeministri mund ta ripropozojë për herë të tretë emrin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm.
Mospërputhja ligjore
Sandër Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende. Përmes një letre dërguar presidentit, zoti Lleshi shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Armatosura dhe mbajnë uniformë”. Zoti Lleshi nënvizonte se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ia ka dhënë këtë mundësi.