Kur Partia Demokratike vendosi të dalë të bëjë një denoncim për vëllain e Fatmir Xhafajt, ministër i Brendshëm, historia pak a shumë dihej.
Por demokratët pretendonin se kishin gjetur një kleçkë ligjore, që do e ndizte debatin.
Sipas tyre, ministri ka ndikuar në ndryshimet ligjore që mbrojnë vëllain e tij nga ekstradimi.
Por të shtunën ata deklaruan se problemi është se vëllai i Xhafajt, Agroni, duhej të ishte subjekt i Ligjit Antimafia.
“Neni 3 e thotë qartë se dispozitat e Ligjit Antimafia zbatohen edhe ndaj pasurive të personave, në pronësi ose të zotëruara në mënyrë të tërthortë nga personat e afërm (bashkëshorti, fëmijët, vëllezërit, motrat, bashkëjetuesi), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku Ministri i Brendshëm, përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia,” tha PD.
Prej orësh, në rrjetet sociale spekulohet se kryeministri Edi Rama e ka ‘lëshuar’ edhe ministrin Xhafaj, teksa ky u shfaq shumë i tensionuar në seancën e Kuvendit.
Nëse prokuroria deklaron se do të bëjë verifikime për Agron Xhafajn, edhe vëllai i tij ministër nuk mund të mbetet jashtë.
Por a na presin zhvillime interesante në këtë drejtim?
Opozita mbetet skeptike tek kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku, kurse kryeministri synon që të shkojë në Elysee të martën me ‘lajme të mira’.
Në ‘tavë’ mund të jenë edhe Adriatik Llalla dhe Saimir Tahiri.
Komentuesit thonë se në prag të nisjes së plazhit, në breg do dalin ‘peshq’.