Së pari Amerika, ose rikthimi i fortë i realizmit në politikën amerikane!

Nga Sander Lleshi



Miratimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA në dhjetorin e vitit të kaluar është pritur me interes të gjerë në botë për arsye të shumta.

Ashtu sikundër zgjedhja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, edhe miratimi i dokumentit më të rëndësishëm politik të administratës së tij në fushën e sigurisë kombëtare, përbën një ngjarje më rëndësi për Amerikën dhe për botën.

Këtë trajtim të shkurtër të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA, e kam filluar me citimin e një paragrafi nga fundi i tij, ku shkruhet se “Kjo strategji është e bazuar në parimet e realizmit. Ajo është realiste për arsye se njeh rolin qendror të fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, afirmon se shtetet sovrane janë shpresa më e mirë për një botë në paqe dhe përcakton qartë interesat tona kombëtare.”

Realizmi, si një ndër shkollat më të konsoliduara në shkencat politike, i përfaqësuar më së miri nga mendimet e Hans Morgenthau, është një përpjekje për ta ndërtuar politikën e sigurisë mbi bazën e realitetit, ndërkohë që shkollat e tjera, si idealizmi, liberalizmi, konstruktivizmi, etj., synojnë që të shkëputen nga “skllavëria e realitetit” duke ofruar një qasje tjetër, e cila përpiqet për ta ndryshuar, harruar apo injoruar atë, në emër të një modeli më pozitiv për të ardhmen.

Realizmi merret më shumë me aktualitetin, ndërkohë që shkollat e tjera merren më shumë me të ardhmen e dëshiruar. Kjo shkollë e mendimit politik dhe strategjik njeh shtetet sovrane si aktorët kryesorë të politikës ndërkombëtare dhe përpjekjet e tyre për më shumë fuqi si gjeneratorin kryesor që i ushqen marrëdhëniet mes tyre.

Për realistët, marrëdhëniet mes shteteve bazohen në interesa dhe, përballë këtyre interesave, të gjitha parimet e tjera, të bukura, ideale, liberale apo morale kanë një domethënie të dorës së dytë. Mbrojtja e interesave, sipas kësaj shkolle të mendimit, mundësohet vetëm nëpërmjet fuqisë kombëtare, e cila në thelb kuptohet si fuqi ushtarake, ekonomike dhe politike. “Përpjekja për fuqi mbetet një ndër konstantet qendrore në histori” thuhet në dokument.

Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA është një rikthim i fortë tek shkolla realiste, pas një periudhe relativisht të gjatë kur mendimi strategjik amerikan ishte orientuar drejt shkollave të tjera politike. Në përgjithësi, pranohet se entuziazmi i fitores së Luftës së Ftohtë, pa shkuar realisht në luftë, i hapi rrugë një periudhe idealiste dhe liberale në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilës, pasi lexon Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA, duket se po i vjen fundi.

Ndryshe nga dokumentet e mëparshme të SHBA, kjo strategji ka një dozë të fortë vetëkritike për qasjen amerikane të pas-Luftës së Ftohtë në fushën e sigurisë. “Ne qëndruam në vend, ndërkohë që vendet e tjera shfrytëzuan institucionet ndërkombëtare që ne ndihmuam të ndërtohen”, shkruhet që në fillim të dokumentit.

Strategjia e re pranon se, supozimi amerikan që bashkëpunimi me rivalët dhe përfshirja e tyre në institucionet ndërkombëtare dhe në tregtinë globale do t’i shndërronte ata në partnerët të besueshëm, “është provuar si i gabuar”.

Më tej, në dokument listohen një sërë kritikash për qasjen amerikane gjatë dekadave të fundit: “Për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lejuar zhvillimin e praktikave të pandershme të tregtisë… Ne kemi menduar se superioriteti ushtarak ishte i garantuar dhe se një paqe demokratike ishte e paevitueshme… Në vend që të ndërtonim kapacitete ushtarake, kur kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare u rritën, Shtetet e Bashkuara reduktuan në mënyrë dramatike, deri në nivelin më të ulët që nga viti 1940, madhësinë e ushtrisë… Në vend që të zhvillonim kapacitete të rëndësishme, Forca e Bashkuar u fut në një dekadë ‘vakancash’ për prokurimet”.

Rezultatet e një analizë me tone të qarta kritike ndaj të shkuarës së afërt shfaqen qartë në shpalljen e objektivave dhe të masave të reja që SHBA planifikon për të ardhmen.

Kolona e parë e strategjisë, ose objektivi i parë i saj, është mbrojtja e popullit amerikan, e vendit dhe e mënyrës amerikane të jetesës.

Kontrolli i kufijve dhe ruajtja e tyre konsiderohet si hapi i parë për të mbrojtur vendin dhe për forcimin e sovranitetit të tij. Zbulimi dhe neutralizimi i kërcënimeve për sigurinë e Amerikës synohet që të kryhet në burim, në vendin e origjinës së tyre, pa lejuar që ato ta mbërrijnë territorin e SHBA. Armët e shkatërrimit në masë, kërcënimet biologjike e pandemitë si dhe forcimi i kontrollit të kufijve janë tri fushat kryesore ku parashikohen masat për plotësimin e objektivit të parë të strategjisë.

Rishikimi i sistemit të imigrimit konsiderohet si një prioritet i rëndësishëm. Në vend të procedurave të bazuara tek rastësia, fati, apo lidhjet familjare, synohet që të instalohet një sistem i ri i bazuar tek “meritat individuale dhe tek aftësia për të kontribuar për shoqërinë amerikane”.

Në shërbim të objektivit të parë për mbrojtjen e vendit, strategjia parashikon përballimin e disa kërcënimeve kryesore, ku si më të rëndësishmit konsiderohen terrorizmi xhihadist dhe organizatat ndërkombëtare të krimit. Strategjia amerikanë parashikon që lufta kundër xhihadizmit dhe organizatave të tjera të krimit ndërkombëtar të zhvillohet në mënyrë ofensive dhe në vatrat e origjinës së tyre.

Tek kolona, ose objektivi i dytë i strategjisë, që flet për nxitjen e prosperitetit amerikan, bie në sy në mënyrë të veçantë kujdesi për të mbrojtur më mirë pronën intelektuale amerikane.

Për këtë qëllim, zhvillimi dhe mbrojtja e bazës inovative amerikane në fushën e sigurisë kombëtare konsiderohet si një prioritet tjetër i rëndësishëm. Strategjia identifikon vjedhjen e pronës intelektuale nga konkurrentët, veçanërisht nga Kina, si një problem serioz prej të cilit humbin qindra miliardë dollarë çdo vit si dhe krijohen pasoja serioze për sigurinë.

Me bazë inovative të sigurisë kombëtare, strategjia kupton rrjetin amerikan të dijes, kapaciteteve dhe njerëzve, ku përfshihet edhe akademia. Një ndër masat e parashikuara për mbrojtjen e bazës inovative është edhe vendosja e kufizimeve për studentët e programeve STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) që vijnë nga vende të caktuara, me qëllim që prona intelektuale amerikane të mos transferohet tek konkurrentët.

Kolona, ose objektivi i tretë, që titullohet “ruaj paqen nëpërmjet fuqisë”, paraqet edhe pjesën më të rëndësishme të strategjisë.

Duke e parë botën e sotme si një “botë konkurruese”, strategjia arrin në përfundimin se konkurrenca kërkon që “Shtetet e Bashkuara të rishikojnë politikat e tyre të dy dekadave të fundit”

Ky konkluzion përbën një ndër risitë më të rëndësishme të strategjisë amerikane, e cila do të shoqërohet me pasojat përkatëse në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Strategjia identifikon tri sfida kryesore – “fuqitë revizioniste si Kina dhe Rusia, shtetet e padenjë si Irani dhe Korea e Veriut dhe organizatat e kërcënimit ndërkombëtar, veçanërisht grupet terroriste xhihadiste”.

Kina dhe Rusia shihen si faktorë që kërkojnë të ndërtojnë një botë krejt të kundërt me vlerat dhe interesat amerikane. Kina synon të zëvendësojë SHBA në rajonin Indo-Paqësor, duke zgjeruar fuqinë e saj ekonomike dhe duke ngritur një ushtri moderne, që konsiderohet e dyta në botë pas asaj amerikane.

Nga ana tjetër, Rusia shihet si një faktor që kërkon të rikthejë statusin e fuqisë së madhe në botë, duke u përpjekur të zgjerojë sferat e saj të influencës, të dobësojë ndikimin e Amerikës dhe të përçajë aleatët e saj. Fakti që Rusia i klasifikon NATO-n dhe BE-në si kërcënime shihet si pjesë e rëndësishme e problemit strategjik.

Në të njëjtën kohë, kombinimi i ambicieve ruse në rritje dhe modernizmi i kapaciteteve ushtarake shihet si një problem shqetësues në frontin e Euroazisë, për shkak se “mundësitë e Rusisë për llogaritje të gabuara” janë në rritje.

Për përballimin e sfidave kryesore, strategjia amerikane, si një qasje e pastër realiste, rithekson rolin e fuqisë. “Ashtu sikundër dobësia amerikane e nxit sfidën, fuqia dhe vetëbesimi e shkurajon luftën dhe promovon paqen”, thuhet në dokument.

Ruajtja e paqes nëpërmjet fuqisë, krahas mbrojtjes së vendit dhe promovimit të prosperitetit të tij, parashikon edhe “ringritjen e ushtrisë, e cila duhet të mbetet predominuese, të shkurajojë kundërshtarët dhe, nëse është e domosdoshme, të jetë e aftë për të luftuar dhe për të fituar”. Duke vijuar në këtë linjë të qartë realiste, strategjia thekson se “Ne do të përdorim të gjitha instrumentet e fuqisë kombëtare për të siguruar që rajonet e botës të mos jenë të dominuar nga një fuqie vetme”.

Strategjia lë vend edhe për bashkëpunim me konkurrentët “nga pozita e forcës, duke siguruar që fuqia ushtarake nuk është asnjëherë e dyta dhe se ajo është plotësisht e integruar me aleatët dhe me të gjithë instrumentet e tjerë të fuqisë”.

Duke vendosur theks të veçantë tek kapacitetet ushtarake, strategjia amerikane përcakton objektiva shumë të qarta për instrumentin ushtarak. “Në duhet të bindim kundërshtarët që ne do t’i mposhtim dhe jo thjesht t’i ndëshkojmë ata nëse sulmohen Shtetet e Bashkuara”.

Pritshmëri të qarta shtrohen edhe përpara aleatëve të SHBA ndaj të cilëve kërkohet modernizmi i kapaciteteve ushtarake, përmirësimi i gatishmërisë, rritja e numrit të forcave të armatosura dhe rikonfirmimi i vullnetit politik për të fituar.

Kolona, ose objektivi i katërt, i strategjisë i kushtohet zgjerimit të ndikimit amerikan në botë, duke e konsideruar këtë si një forcë pozitive që ndihmon për të krijuar kushte për zhvillimin e prosperitetit dhe të paqes. Duke e krahasuar gjendjen e sotme në botë me atë të kohës së Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik ishte kërcënimi më serioz për botën e lirë, strategjia amerikanë thekson se “sfidat e sotme për shoqëritë e lira janë po aq serioze madje edhe më komplekse”.

Në funksion të një ndikimi të shtuar në botë, strategjia parashikon një sërë prioritetesh dhe një qasje tjetër nga ajo e konkurrentëve kryesorë. Duke besuar se praktikat merkantiliste shtetërore të konkurrentëve shkaktojnë dëme dhe vartësi në ekonomitë e vendeve ku ato ndërhyjnë, strategjia thekson se SHBA do të largohen nga praktikat e asistencës dhe të granteve për të hapur mundësi që kapitali privat të mbështetet për të luajtur rolin e katalizatorit në ekonomitë e tjera.

Kjo parashikohet të realizohet nëpërmjet mbështetjes së investimeve private amerikane në botë, kapitalizimit të teknologjive të reja amerikane, mbështetjes së reformave etj..

Pjesa e fundit e strategjisë i kushtohet kontekstit rajonal, duke specifikuar politikën amerikane në rajonet kryesore të botës.

Rajonin Indo-Paqësor, i cili shtrihet nga bregu perëndimor i Indisë në bregun perëndimor të SHBA, strategjia e konsideron si një teatër ku zhvillohet një konkurrencë gjeopolitike mes vizioneve të lirisë dhe atyre represive për rendin botëror. Në këtë rajon, SHBA do të vijojnë të mbështeten tek aleancat me Korenë e Jugut, Japoninë dhe Australinë si dhe tek partneriteti me Indinë dhe vende të tjera.

Një Evropë e fortë dhe e lirë vijon të mbetet më rëndësi jetësore për SHBA. Strategjia amerikane identifikon Rusinë dhe Kinën si sfida shtetërore me rëndësi në Evropë, ndërkohë që ekstremizmi i dhunshëm islamik dhe terrorizmi konsiderohen si kërcënime serioze.

Strategjia amerikane e sheh NATO-n si aleancën e vendeve të sovrane dhe të lira, e cila është garancia e sigurisë euroatlantike. SHBA rishprehin angazhimin e tyre për plotësimin e detyrimeve në kuadër të Artikullit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe kërkojnë që aleatët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e interesave dhe vlerave të përbashkëta.

Përballimi i agresionit dhe subversionit rus, përgatitja për mbrojtje ndaj kërcënimeve që vijnë nga Koreja e Veriut dhe Irani dhe mbrojtja nga terrorizmi xhihadist janë disa nga prioritetet kryesore amerikane në Evropë.

Plotësimi i këtyre prioriteteve shoqërohet me kërkesën që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes deri në nivelin 2% të PBB brenda vitit 2024 dhe që 20% e këtij buxheti ta dedikojnë për modernizmin e kapaciteteve ushtarake.

Lindja e mesme konsiderohet si shtëpia e organizatave më të rrezikshme të terrorit ndërkombëtar. Strategjia thekson se kërcënimi xhihadist dhe ai që vjen nga Irani krijojnë bindjen se Izraeli nuk është shkaku i problemeve të rajonit dhe se ai do të vijoj të jetë partner i rëndësishëm i SHBA në përballimin e kërcënimeve të përbashkëta.

Si konkluzion, mund të thuhet se strategjia e re paraqet një dokument riorientimi të thellë të qasjes amerikane në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fryma e qartë realiste, theksi i ri për rëndësinë e fuqisë në tërësi dhe asaj ushtarake në veçanti, dhe identifikimi pa ekuivokë i sfidave, kërcënimeve por edhe i bartësve të tyre i jep këtij dokumenti një rëndësi të veçantë.

Edhe pse në titull ky është një dokument kombëtar i SHBA, ndikimi i një qasje të re amerikane do të jetë i pranishëm në të gjithë botën. Në kontekstin rajonal, ai ka një artikulim të qartë për sigurinë evropiane, pjesë e të cilës është edhe siguria e Shqipërisë. Është kjo arsyeja që ky dokument ka rëndësi edhe për të gjithë aktorët që merren me konceptimin dhe ndërtimin e sigurisë kombëtare të vendit tonë.

Në kushtet e reja, edhe tek ne kërkohet një vlerësim i ri për qasjet realiste në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre të sigurisë, kur duket se aktorët kryesorë ndërkombëtarë po shkojnë drejt pozicioneve të qarta realiste. Hapat e ndërmarrë vitet e fundit për të korrigjuar tendencën rënëse të shpenzimeve për mbrojtjen, për krijimin e kapaciteteve të reja dhe për modernizimin e të gjithë sistemit të sigurisë kombëtare, në pajtim me angazhimet e vendit në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, janë një pikënisje e mirë për të thelluar progresin në drejtim të arritjes së niveleve optimale në fushën e sigurisë kombëtare, e cila është parakushti kryesor për një vend të zhvilluar dhe të integruar në Evropë.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252