Mbledhja e grupit të Partisë Socialiste është shoqëruar me debate mes deputetëve për projektbuxhetin e vitit 2019, që do të diskutohet në seancën e sotme të Kuvendit. Report Tv raporton se gjatë mbledhjes së grupit, Braçe dhe Ahmetaj kanë pasur debate për tatimin e pagës.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka kërkuar që pagat deri në 40 mijë lekë të mos tatohen, por Ahmetaj nuk ka pranuar duke mos u tërhequr nga ideja që pragu duhet të ulet dhe tatimi të fillojë edhe për pagat nën 30 mijë lekë.
Aktualisht pagat 30 mijë lekë nuk tatohen.
Braçe, në cilësinë e kreut të Komisionit të Ekonomisë, pritet të bëjë propozime për paketën fiskale gjatë shqyrtimit nen për nen.
Ndërkohë që po në këtë mbledhje është kërkuar që vetëm 10 deputetë të marrin pjesë në diskutimet për Buxhetin, gjë që është e pazakontë, pasi seanca të tilla konsiderohen maratonë.