Është dënuar një herë për shkak të politikës dhe duket se po shkon drejt një dënimi të dytë, pasi policia e ka arrestuar për kanosje dhe gjithçka ka ardhur pas një sherri me motive politike. Pëllumb Myrtaj 49 vjeç, banor i fshatit Ruzhdie rrethi Fier, ish-komisioner në qendrën e votimit të këtij fshati në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, është prangosur nga policia fierake nën akuzën e “kanosjes dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Ndalimi fizik i tij është bërë në orën 14:20 e pasdites së djeshme në shtëpinë e tij, në fshatin Ruzhdie, tashmë i njohur për problemet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Sipas policisë, Myrtaj ka qëlluar me armë zjarri rreth orës 17:45 të datës 3 janar, para shtëpisë së një bashkëfshatari dhe njëkohësisht të afërmit të tij. Shkaku sipas policisë është një grindje që ka nisur pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Sipas burimeve brenda policisë, Myrtaj dhe bashkëfshatari i tij, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kanë nisur grindjet duke pasur si shkak edhe arsye politike. Grindja ka ardhur si rrjedhojë e mospajtimeve për kandidaturën e kryekomunarit aktual, ku ish-komisioneri demokrat ka kundërshtuar këtë kandidaturë, aktualisht kryetar komune. Madje ka pasur debate me banorë, të cilët e mbështetën dhe votuan atë. Debatet duket se janë shuar mes dy bashkëfshatarëve, për t’u rindezur sërish pasditen e datës 3 janar. Pas të shtënave në ajër në rrugë, në vendngjarje ka mbërritur policia e rendit. Kjo e fundit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë, një krehër automatiku me 28 fishekë. I ndaluari nga policia është në një tjetër proces gjyqësor që ka nisur kundër tij dhe komisionerëve të fshatit Ruzhdie. Ai akuzohet për manipulim të votave në zgjedhjet e vitit 2009. Gjykata e Fierit e ka dënuar atë me shtatë muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Çështja është ankimuar dhe ndodhet për gjykim në Gjykatën e Apelit Vlorë.