Mjeku: Rreth 90% e personave kanë diabet tip 2 i cili është një diabet që në përgjithësi fillon pas moshës 40 vjeç, prandaj edhe më përpara quhej diabeti i të rriturve për ta dalluar nga diabeti tip 1, që quhet diabeti i fëmijëve sepse fillonte në moshë të re. Por sot ndeshemi me diabeti tip 2 edhe në mosha të reja, ndeshim diabeti tip 1 edhe në moshën 70-vjeçare
Sëmundja e diabetit në Shqipëri po vjen duke u shtuar nga viti në vit. Mesatarisht çdo vit në vendin tonë zbulohen 3 mijë raste të reja. Ndërsa në të gjithë vendin numërohen 72 mijë persona të sëmurë me diabet. Mjekët endokrinologë ngrenë alarmin për shtimin e rasteve dhe theksojnë se kjo është vetëm një pjesë që zbulohet. Sepse ka një numër akoma më të lartë rastesh që janë më diabet por akoma nuk janë zbuluar dhe se zbulohen kur mund t’i kenë filluar komplikacionet. Shpesh mjekët diabetin tip 2 nuk e zbulojnë si diabet por e zbulojnë si pasojë e problemeve të tjera shëndetësore; kur personi me diabet bën një plagë në këmbë, pëson një infarkt apo bën një infeksion. Për këtë arsye, prof. Florian Toti, mjek endokrinolog në QSU “Nënë Tereza”, në intervistë për media thotë se trashëgimia ka rol kyç në përcaktimin e personave me diabet në diabetin Tip 1, ndërkohë që në diabetin Tip 2 fillon pas moshës 40-vjeçare dhe më të rrezikuar janë personat me familjarë me diabet, njerëzit që bëjnë jetë sedentare pa aktivitet fizik, njerëzit që vuajnë nga obeziteti, gratë të cilat kanë lindur fëmijë më peshën mbi 4 kg ose që kanë patur diabet gjatë shtatzënisë, njerëzit që kanë hipertension, dislipidemi etj. “Ky është një grup shumë i madh njerëzish të rrezikuar, të cilët duhet të bëjnë kujdes dhe duhet të kontrollohen herë pas here, për të ditur se në çfarë nivelesh e kanë sheqerin”-apelon mjeku endokrinolog.
Diabeti melitus, çfarë është?
Diabeti melitus apo diabeti i sheqerit ka lidhje me rritjen e vlerës së sheqerit në gjak. Po kështu, ka lidhje me mosveprimin e insulinës. Baza e diabetit, është mungesa totale e insulinës, siç ndodh në diabetin tip 1. Në diabetin tip 1 kemi një proces autoimun që shkatërron qelizat beta dhe nuk prodhohet më insulina nga organizimi. Në rastin e diabetit tip 2 kemi një mosveprim, një rezistencë ndaj insulinës në periferi dhe në këtë rast organizmi detyrohet të prodhojë më shumë insulinë për të kompensuar mosveprimin e saj, në këtë mënyrë shtohet oreksi, shtohet pesha. Në rastin e diabetit tip 1 kemi mungesën e insulinës dhe mosveprimin siç duhet në rastin e diabetit tip 2.
Si zhvillohet diabeti tip 2 në organizmin tonë?
Rreth 90% e personave kanë diabet tip 2 i cili është një diabet që në përgjithësi fillon pas moshës 40 vjeç, prandaj edhe më përpara quhej diabeti i të rriturve për ta dalluar nga diabeti tip 1, që quhet diabeti i fëmijëve sepse fillonte në moshë të re. Por sot ndeshemi me diabeti tip 2 edhe në mosha të reja, ndeshim diabeti tip 1 edhe në moshën 70-vjeçare. Në rastin e diabetit tip 2 kemi insulino rezistencën, fillon të rritet glicemia, sidomos glicemia esëll, prediabeti, pa u bërë akoma me diabet personi dhe këto glicemi rriten, rritet niveli i prodhimit të insulinës, shtohet ushqimi, pra shtohet obeziteti. Obeziteti shton rezistencën periferike ndaj insulinës dhe në këtë mënyrë kemi një rritje graduale të glicemive dhe një lodhje të qelizave Beta që prodhojnë insulinës, duke çuar pastaj në instalimin e diabetit dhe gradualisht me kalimin e kohës edhe mundësinë më të pakët të mjekimi me tableta dhe nevojën për të shtuar në terapi insulinën.
Si paraqiten rastet, kemi të bëjmë me epidemi globale të diabetit tip 2?
Sot diabeti po shtohet. Në rastin e diabetit tip 1 kemi shtesa me 1-2-3%. Ndërsa në rastin e diabetit tip 2 kemi një rritje galopante të shifrave të diabetit. Në botë në vitin 2017 ishin 425 milionë persona me diabet. Në një studim i bërë në vitet ’90, ishte menduar që në vitet 2025 në botë do të kishte 330 milionë persona me diabet. Sot jemi në vitin 2018 dhe këto shifra janë tejkaluar me gati 1.5 herë.
Kur ne bëmë një studim në 2005 në Shqipëri kishte rreth 30 mijë persona me diabet. Shifrat e fundit të Fondit flasin për 70 mijë persona me diabet të trajtuar. Por nuk duhet të harrojmë që ka një numër të lartë personash me diabet që nuk e dinë akoma që janë me diabet dhe janë jashtë skemës së rimbursimit. Pra, shifrat mund të jenë akoma më të larta.
Cilat janë shenjat dhe simptomat e diabetit tip 2?
Shenjat e diabetit si në diabet tip 1 dhe në diabet tip 2 janë të njëjta: urinimi i shpeshtë; etja e shtuar. Sepse urinimi i shpeshtë vjen si pasojë e eliminimit të glukozës në urinë. Te personat me diabet një nga shenjat është që ngrihen natën për të urinuar, lodhen gjatë ditës. Në rastin e diabetit tip 1 është oreks i shtuar dhe rënie në peshë. Sepse organizmi ushqimin që merr nuk e konsumon por e eliminon përmes urinës.
Rreth 80% e personave me diabet tip 2 janë edhe me mbipeshë ose obezë. Është obeziteti që shton diabetin, nuk është diabeti që shton obezitetin. Pra, ne pak kemi pacientë me diabet tip 1 që bëjnë obezë, por kemi shumë persona obezë të cilët bëjnë diabeti tip 2 gjatë kalimit të viteve. Për këtë arsye ne si mjekë bëjmë apel që të parandalojmë obezitetin që të parandalojmë edhe diabetin tip 2. Duhet të pakësojmë kalorazhin, duhet të shtojmë aktivitetin fizik, të bëjmë një jetesë më të shëndetshme që të kemi më pak raste me diabet tip 2.
Cilët janë faktorët e riskut për diabet tip 2?
Në radhë të parë do të përmendja si faktor rreziku moshën. Duke filluar nga mosha 40 vjeç rreziku për diabeti tip 2 shtohet, sa më tepër kalon mosha aq më tepër shtohet rreziku për diabet tip 2. Prandaj sot në botë rreth 1 në 4 persona në moshën mbi 70 vjeç ka diabet. Edhe në Shqipëri duke qenë se po rritet jetëgjatësia e popullatës, po shtohet diabeti i pleqërisë, që fillon nga mosha 70 -75 vjeç, që shoqërohet si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik, rënies së metabolizmit bazal.
Faktorë të tjerë janë obeziteti; mbipesha, ngrënia e tepërt, presioni i lartë i gjakut, jeta sedentare, historia familjare, sëmundje të rënda mendore, sindromi i ovarit policistik, tolerance e dëmtuar e glukozës, rezistenca ndaj insulinës, diabeti gestacional, përkatësia etnike dhe gjeografia.
Këshilla për parandalimin e sëmundjes?
Kur flasim për parandalimin kemi tre nivele të parandalimit; niveli i parë është parandalimi i sëmundjes vetë, niveli i dytë është zbulimi sa më i hershëm i sëmundjes dhe niveli i tretë parandalimi i komplikacioneve të sëmundjes së diabetit.
Ne parandalojmë komplikacionet e diabetit, kemi pasur edhe më përpara por vazhdojmë të kujdesemi për zbulimin e hershëm të diabetit. Kemi më tepër hapësirë për aktivitetin fizik nëpërmjet rrugëve të dedikuara për biçikletat, kënde sportive, ndërgjegjësimi i popullatës për më shumë aktivitet fizik, kemi më shumë ndërgjegjësim të ushqyerjes dhe të dietës.
Këshilla për ushqyerja
- Një rol të rëndësishëm në dietën e pacientëve me diabet kanë edhe karbohidratet. Karbohidratet duhet t’i konsumojmë në mënyrë të balancuar më pak se ç‘konsumohen nga individët normalë që nuk janë të prekur nga diabeti. Por çfarë janë karbohidratet? Karbohidratet janë të thjeshta dhe të përbëra, pra do të thotë se karbohidratet komplekse kanë një tretje më të ngadaltë, ndërkohë që karbohidratet e thjeshta treten shumë më shpejt, gjë që çon në rritjen e sheqerit në gjak, gliceminë.
- Ja cilat janë karbohidratet komplekse: orizi, makarona, buka; po kështu mund t’i gjejmë edhe në ushqime të tjera si biskota, buka e thekur.
- Ja cilat janë karbohidratet e thjeshta: janë të pranishme tek frutat, sheqeri, mjalti, lëngjet e frutave; pra tek të gjitha frutat që kanë në vetvete shtesë sheqeri.
- Përqindja totale e këtyre karbohidrateve është 40-50%, por pjesa më e madhe duhet të vijë absolutisht nga karbohidratet komplekse, karbohidratet e thjeshta duhet të jenë një sasi e vogël.
- Para se të konsumojmë ushqimet duhet të njohim indeksin e tyre glicemik, i cili na tregon saktësisht indeksin e tyre glicemik i cili na tregon saktësisht sasisë e karbohidrateve që përmban çdo ushqim.
- sh. –bukë mund të konsumojmë 50gr, ndërsa oriz mund të konsumojmë 80 gr, makarona 100 gr.
- Individët që vuajnë nga diabeti duhet të mësojnë të bëjnë vetë këto llogaritje. Sepse do të duhet të menaxhojnë vetë këtë gjatë gjithë jetës.
- Pacienti diabetik duhet të mësojë t’i peshojë ushqimet. Nëse arrini që gjatë një muaji t’i peshoni do të mësoni dhe do të ndiqni këtë mënyrë gjatë gjithë jetës gjë që do t’ju ndihmojë shumë në menaxhimin e sëmundjes tuaj.
- Një person diabetik mund të konsumojë yndyrat dhe proteinat por gjithmonë në mënyrë të kontrolluar.
- Duhet patjetër të konsumojë tri vakte me gjithçka përmban vakti; një karbohidrat, një proteinë, perime dhe fruta. Fruta duhet të peshohet dhe asnjëherë më shumë se një frutë në drekë apo në darkë. Fruta gjatë paradites nuk është mirë sepse rrit indeksin glicemik, rrit sheqerin në gjak.
- Disa perime të freskëta janë shumë të mira dhe nuk përbëjnë problem, por të pjekura u rritet indeksi glicemik dhe janë të ndaluara për pacientin diabetik ose mund të konsumohen shumë të reduktuara. Gështenja, nuk është frutë por ka përmbajtje të lartë karbohidratesh.
- Më pas vera dhe rakia duhet të konsumohen gjysmë gote verë në ditë dhe ndonjëherë një gotë shumë e vogël rakie. Nuk duhet konsumuar kurrë raki esëll sepse provokon hiperglicemi dhe për pacientin diabetik kjo mund të sjellë probleme serioze.
- Diabeti mund të luftohet me një ushqyerje të mirë duke e mbajtur nën kontroll.