Prindër e nxënës përshkallëzuan protestën e tyre për shkollën e mbyllur në Mengël të Elbasanit.
Banorët bllokuan aksin Elbasan–Librazhd duke protestuar në atë pjesë të rrugës që kalon pranë fshatit Mengël. Nxënësit janë ulur në rrugë, në shenjë proteste për shkollën e mbyllur.
Ndërkohë që radhë të gjata me automjete dhe drejtues të zemëruar nga vonesa u krijuan në këtë aks për mbi 3 orë.
Zyrtarët thonë se godina e shkollës është e rrezikshme pasi ka pësuar dëme nga tërmeti i vitit të kaluar.
Por megjithëse u është ofruar transporti falas për të ndjekur shkollën në Elbasan, prindërit nuk e pranojnë këtë zgjidhje.
Që kur nisi ky vit shkollor, nxënësit me çanta në shpinë mblidhen para shkollës, ku madje prindërit e tyre hapën me forcë dyert e ndertesës pak ditë më parë.
Për të penguar hyrjen e tyre në shkollë, të hënën dera e shkollës u mor në ruajtje nga policia.
Bashkia Elbasan akuzon degën e Partisë Demokratike të qytetit se, po e politizon këtë protestë duke mbështetur banorët të kërkojnë një shkollë që rrezikon të shembet.