Nga Ervis Iljazaj
Çdo ditë, energji pafund harxhohen për çështje që nuk përbëjnë aspak thelbin e reformave që Shqipëria duhet të ketë. Çështje si Teatri Kombëtar apo beteja morale midis palëve politike se cila nga ato është më e ndershme, janë sigurisht çështje të rëndësishme, por që nuk mund të marrin të gjithë vëmendjen e politikës dhe shoqërisë, duke lënë mënjanë në këtë mënyrë, sfidat e mëdha që vendi ka përpara.
Sot nis sesioni i ri parlamentar, dhe bashkë me të një vit politik pothuajse jetik për fatet e tij, duke patur parasysh të gjitha çështjet e rëndësishme të lëna pezull nga viti i kaluar, që për hir të së vërtetës, ishte një vit politik i vobektë, që nuk krijoi asgjë thelbësore për t’iu dhënë zgjidhje strukturore njëherë e mirë problemeve të ekonomisë, politikës dhe të drejtësisë.
Në aspektin politik, ka çështje të rëndësishme si reforma zgjedhore, si dhe përgatitja e infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme lokale, që janë në prag të sezonit të ri politik. Apo, përcaktimi i koalicioneve dhe përzgjedhja e kandidatëve, të cilët do të jenë tregues i rëndësishëm për frymën dhe vizionin që do të paraqesë secila nga palët politike për pushtetin lokal.
Në aspektin e drejtësisë, është e qartë se kryefjala është vazhdimi i Reformës në Drejtësi, që me sa duket i sheh opozitën dhe mazhorancën më larg se kurrë. Për sa i përket kësaj çështjeje, ka një qëndrim midis palëve, që nuk bën optimist askënd për mbarimin me sukses të saj. Ka akuza dhe kundërakuza, të cilat janë duke e dëmtuar dhe paragjykuar Reformën në Drejtësi. Ndërkohë që, ajo është një reformë ku janë shpenzuar shumë energji politike dhe shoqërore, ku për shkak të saj dhe ngërçin që ajo ka krijuar në sistemin e drejtësisë, Shqipëria ka patur me siguri dhe kosto të mëdha ekonomike. Në këtë kuptim, bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për të hequr çdo lloj hijeje dyshimi mbi efikasitetin dhe suksesin e saj.
Po ashtu, ky është një vit i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në procesin e integrimit, ku çelja e negociatave kërkon gjithashtu një përpjekje bipartisane dhe një klimë politike reformuese dhe jo konfliktuale.
Prandaj, sesioni i ri parlamentar duhet të fokusohet te këto çështje, dhe jo te kotësitë e politikës së ditës, nga e cila nuk po arrijmë dot të dalim. Politika shqiptare është kapluar nga mediokriteti, dhe nga çështje që nuk janë aspak çështje që mund të krijojnë politikën e madhe dhe vizionare.
Kështu që, ajo që pritet nga sesioni i ri parlamentar, është ngritja në një nivel tjetër e politikës shqiptare. Duke u fokusuar te zgjidhjet e mëdha, dhe jo te grindjet pa asnjë vlerë të ditës, që në fakt, mbulojnë ato problematika që me të vërtetë përbëjnë betejën politike të vërtetë.
Ajo që i duhet vendit, janë padyshim debatet politike mbi reformat që krijojnë një bazë thelbësore të zhvillimit të tij. Shpresojmë që ky vit të jetë viti i debateve politike mbi reformat ekonomike dhe shoqërore, të cilat krijojnë mundësinë e zgjedhjeve midis alternativave politike të vërteta, apo mbi vizione konkurruese që përbëjnë thelbin e demokracisë dhe të zhvillimit. Duhet t’i japim fund njëherë e përgjithmonë mediokritetit të një politike grindavece, që merret me çështje dytësore, duke krijuar një lodhje psikologjike masive dhe duke harxhuar energji pafund të një shoqërie që rrezikon të kthehet në apatike.
Por reformimet nuk i bëjnë kriminelët, horrat, antishqipëtarët, trafikantët, perdhunuesit, as politikat lavjerrëse sa majtas – djathtas. Duhet pak ndershmëri, ideal, përgjegjshmëri. Nuk na duhet premtimi i pambajtur as fjala që nuk është vepër. Po nuk u bë dekriminalizimi i politikës, i qeverisë, po nuk u luftuan bandat, mafia shtetrore, asgjë nuk ecën në rrugën e drejtë. Ne po ecim, po vrapojmë në drejtim të fatalitetit, pa e ditur e kuptuar se çfarë po i bëjmë vetvetes. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb se kur zgjedh dhe pranon të qeveriset nga njerëz që vetëm pasurohen e majmen me taksat tona, kur perendia e tyre është pushteti i pamerituar, paraja e pistë dhe bashkëpunimi me bandat. për të mbajtur pushtetin me gënjeshtra , fasada e presione. Ndaj, nuk ka dhe s’ mund të ketë reformime siç trumbetohen. Duhet të zgjohemi, duhet të guxojmë dhe t’ themi ndal së keqes.