Për të mos vonuar marrjen e pagesës së barrëlindjes, punonjësi i financës në subjektin ku është e punësuar përfituesja, duhet të dorëzojë në kohë pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që duhet për të kryer llogaritjen e kësaj pagese. Tashmë janë përcaktuar edhe datat se kur duhet bërë dorëzimi i këtyre dokumenteve çdo muaj, data të cilat janë të ndryshme për përfitueset në rrethe dhe ato të Tiranës.
Afati i dorëzimit të dokumenteve për rrethet dhe Tiranën
Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se për rrethet, procesi i dorëzimit të dokumenteve nga këto subjekte pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore mund të bëhet nga data 20-27 të çdo muaji.
Pasi të kryejnë llogaritjet përkatëse mbi dokumentet e paraqitura, drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore saktësojnë masën konkrete të pagesës, e cila i kalon përfitueses në llogarinë personale të bankës brenda datës 30 të çdo muaji. Më tej, autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për shkak të numrit të lartë të përfituesve të pagesës së barrëlindjes në kryeqytet, nuk do të aplikohen afatet e përmendura më lart për dorëzimin e dokumentacionit përfitues.
“Përjashtim nga kjo procedurë bëhet vetëm në qarkun e Tiranës, ku për efekt të lehtësimit të procedurave dorëzimi i dokumenteve dhe kryerja e pagesës bëhet çdo ditë. Ndërkohë, sa i përket pagesës në drejtorinë e Tiranës bëhet e ditur se kjo pagesë mund të kryhet në llogaritë personale, apo edhe në ato të subjektit ku është e punësuar përfituesja, sipas përshkrimit që është bërë në dokumentet e dorëzuara”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Kushtet e përfitimit të kësaj pagese
Ligji i sigurimeve shoqërore përcakton se e ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.
Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
Masa e pagesës
Në çdo rast e ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar do të jetë sa 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes, si dhe sa 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.
“E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet në të njëjtën formë. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave”, saktësohet në ligjin e ndryshuar të sigurimeve shoqërore.
Gjithashtu bëhet e ditur se për nënën që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë.
“Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes”, detajohet në ligjin përkatës. Po sipas kushteve të përcaktuara në ligj, pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai, ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron, apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. /DITA