Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka reaguar pas arrestimit të porositësit të vrasjes së ish-komisar Artan Cukut.
Në një reagim në mediat sociale, Lleshaj shkruan se ky është një mesazh i rëndësishëm dhe tregon se askush nuk i shpëton dot Forcës së Ligjit.
REAGIMI I PLOTË
Finalizimi i aksionit për arrestimin porositësit të vrasjes së Artan Cukut, ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës është një sukses dhe mesazh i rëndësishëm. Forcës së Ligjit nuk mund t’i shmanget askush.
Policia e Shtetit do ta intensifikojë në kulm përpjekjen për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata, që e kanë vendin para saj. Partnerët ndërkombëtarë janë në mbështjetje të plotë të vullnetit tonë të palëkundur për drejtësi në Shqipëri.
ARRESTIMI I BUJSHEM
Bledar Jambelli, personi më i kërkuar nga policia e shtetit, u arrestua në Greqi. Arrestimin e Jambellit e bënë me dije policia e cila deklaron se falë një bashkëpunimi me Interpol Tiranën dhe Interpol Athinën është arritur të prangoset Jambelli. 38-vjeçari me origjinë nga Fieri për Policinë e Shtetit njihej me emrat Bledar Jambelli dhe Rikardo Muho.
Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e krimeve të rënda dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e Artan Cukut për hakmarrje për arrestimin në vitin 2012 kur Cuku mbante detyrën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Arrestimi i autorit të krimit, Mikel Shallari në 2 maj 2017, çoi në zbulimimin e dinamikës së vrasjes. Duke marrë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe i dënuar me 10 vite burg. Shallari rrëfeu se ishte paguar 3 mijë euro nga Bledar Jambelli për vrasjen e Cukut, ndërsa i ishin premtuar 20 mijë euro në total të cilat ai nuk i kishte marrë.
Jambelli ka porositur vrasjen e Artan Cukut për rihapjen e një dosje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë. Kjo dosje solli edhe arrestimin e Bledar Jambellit, të akuzuar për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.
Kjo dosje ishte e mbyllur nga prokuroria, por Artan Cuku gjeti prova dhe vuri në pranga Bledar Jambellin.
Por ajo që u konstatua në qelinë e Jambellit, e bënte edhe më serioz kërcënimin ndaj Cukut. Emri i Artan Cukut ishte shkruar me dhjetëra herë në muret e qelisë. Por shkrimet në mure nuk u fotografuan, në mënyrë që të përdoreshin si provë.
Çuditërisht 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013. 4 vite më pas Jambelli vendosi të hakmerret duke paguar Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun. Mikel Shallari ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka konfirmuar që ka qënë Bledar Jambelli, i cili e pagoi për të vrarë Artan Cukun.