Dikush bëri shaka se Sali Berisha po kryeson shoqatën e gazetarëve të liruar të kronikës, të tjerë thanë se ai është bërë si BBC-ja shqiptare.
Fakt është se lajmi i parë që qarkulloi nëpër televizione e portale me shumë bujë kishte vetëm një burim: Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se është vetëdorëzuar Klement Balili.
Nuk kaloi shumë dhe në dritë nisën të dalin jo vetëm detaje të reja nga dorëzimi i njeriut më të kërkuar në Shqipëri, por edhe video nga ky moment.
Ata që prisnin të shihnin një njeri të shumëkërkuar që dilte nga ndonjë skutë, do shihnin diçka të ngjashme me dasmën në mes të Delvinës.
Balili u vetëdorëzua dhe shefi i policisë shqiptare e solli me makinë nga Delvina në Tiranë. Memet shpërthyen në rrjetet sociale duke e bërë gjithmonë e më të vështirë mbrojtjen nga ana e qeverisë, që po e paraqiste si një sukses të madh policor.
Në fakt, po të mos ishte dekonspirimi nga ana e Sali Berishës, ‘parada’ për këtë arritje të policisë ishte parashikuar të ishte shumë e madhe.
Gjithçka u pezullua kur u pa efekti që kishte krijuar në opinion vetëdorëzimi i Eskobarit të Ballkanit, që jo vetëm erdhi me fuoristradë luksoze drejt Tiranës, por edhe thuhet se u vendos në një qeli VIP.
Kaq do mjaftonte për të shtuar akoma më shumë zemërimin se përse atij i rezervohet diçka e tillë. ‘Parada’ me prangat e Balilit nuk pati shansin më të bëhej.