Shumë qytetarë shqiptarë udhëtojnë drejt Kosovës dhe Maqedonisë me një qëllim: të blejnë karburant pasi është shumë më i lirë se në Shqipëri. Por ndërsa Shqipëria mban rekord për çmimet e larta të karburanteve, nuk kemi parë që autoritetet e larta të shqetësohen. E kundërta ndodh në Kosovë, ku kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër për çmimet e larta të naftës.
Reagimi i Haradinajt:
Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë.
Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.
U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë.
Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!