Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë përpara Asamblesë së PS, por të gjithë mediat u fokusuan më shumë në fundin e tij, kur kryetari i PS lajmëroi ndryshimet në qeveri.
Por që në fillim, kryeministri Edi Rama deklaroi se shpjegimi për situatën aktuale është se vendi nuk ka opozitë.
“Shpjegimi për këtë dhe për shumë të tjera si kjo është që ne nuk kemi opozitë. Dhe mungesa e opozitës na ka mpirë një pjesë të shqisave dhe na ka ulur një pjesë të kapaciteteve tona reaguese dhe të kapaciteteve tona udhëheqëse,” tha Rama.
Por më vonë, gjatë fjalës së tij, Rama zbuloi se problemi nuk është opozita, por partia e tij, pasi sulmoi fillimisht njerëzit e tij për nepotizëm.
“Partia Socialiste nuk mund të kthehet në opozitë për shkak të krushqve, tezeve, motrave, xhaxhallarëve, grave, kunatave e të gjitha me radhë. Harrojeni! Ose bëni një gjest të thjeshtë, ikni nga Partia Socialiste dhe pastaj do të merremi t’ju rregullojmë në punë të gjithë farefis. Ikni! Lërini forumet, karriget, mandatet, lërini të gjitha dhe pastaj keni të gjithë të drejtën e Zotit të thoni “më rregullo familjen”,” tha Rama.
Më pas Rama u tregua i ashpër edhe me organizatat e partisë, me të rinjtë dhe gratë.
“Kur filloi protesta e studentëve në rrugë, mora Elion. I thashë, Elio, çfarë bën, ku i ke ata të FRESSH-it? Aty tha, tek Ministria. Shumë mirë, edhe FRESH-i në protestë tek Ministria, fëmijët tanë. Domethënie, shumë e madhe, por nga ana tjetër ka ardhë koha që të nxjerrim një mësim nga eksperienca dhe nga çfarë dëgjuat nga studentët gjatë gjithë ditëve. Edhe ata që ishin të doktoreshës dhe të artistit thonin “nuk i duam forumet këtu”, se iu vjen turp të thonë jemi të forumeve. FRESH-i nuk mund te jetë më organizata ekskluzive e rinisë socialiste. FRESH-i mund të jetë një nga organizatat”.
“Forumin e gruas e dëgjoj vetëm kur ka zgjedhje dhe zihen gratë me njëra-tjetrën. Nuk e shoh as ku është dhe as çfarë bën. Nuk ka nevojë të ketë Forum gruaje, le të organizohen të gjithë si të duan. Pse duhet të kemi forumin e grave komuniste, për çfarë arsye? Vetëm zihen me njëra-tjetrën kur ka zgjedhje dhe bashkohen për 8 mars, sepse bëjnë sikur shkojnë shumë mirë me njëra- tjetrën dhe këtu mbaron. Për çfarë na duhet ne, forumi i grave komuniste, vetëm për sherr!”
Pra nuk është se problemi qenka opozita. Në fund, për të justifikuar largimin e ministrave e tij më të rëndësishëm, kryeministri përdori skenarin e aplikuar me largimin e Saimir Tahiri. Në atë kohë opinioni publik ziente se Tahiri po largohej për shkak të lidhjeve me krimin dhe sepse e kishte kthyer Shqipërinë në një ‘Kolumbi’ të Europës.
Por Rama tha se Tahiri po largohej që të jepte rezultate më të mira në zgjedhje, duke u fokusuar vetëm aty.
Ja çfarë tha Rama për ministrat e shkarkuar sot:
“Ka shumë gjëra të tjera që presin për lidershipin dhe për kontributin e Lindita Nikollës, që nga udhëheqja e një qarku ku ne duhet të fitojmë të gjitha bashkitë, në Lezhë, tek Kuvendi”.
“Është koha që Ditmiri t’i përkushtohet Shkodrës, me kohë të plotë dhe të japi kontributin e vet në Këshillin Kombëtar të Integrimit, ku ka gjithë eksperiencën dhe kapacitetet për të qene një vlerë e shtuar”.
“Damiani do të vazhdojë të bëjë me po aq përkushtim dhe jam i bindur edhe me shumë sukses, punën e tij si udhëheqës në Qarkun e Vlorës, ku nuk diskutohet që ne do t’i fitojmë të gjitha bashkitë dhe ku kemi nevojë të bëjmë një reformë të thellë të administratës atje”.
“Nikos i bie barra të sjellë nga Qarku i Korçës një rezultat edhe më të mirë se ai i vitit 2017, sëbashku me të gjithë kontributet në Kuvend dhe në debatin publik”.