Në shumë raste, mungesa e opozitës në komisionet parlamentare ka shtyrë deputetë e PS të bëjnë rolin e oponentit ndaj projektligjeve të qeverisë.
Përplasje mes tyre pati dje në Komisionin e Ligjeve.
I tillë ishte debati me ton të lartë mes Bashkim Finos dhe zv.ministrit të Bujqësisë, Ilir Halialj, i cili mbërriti me vonesë pasi vinte nga një tjetër komision, raporton Panorama.
Ai kërkoi falje për vonesën, por duket se Finos nuk i pëlqeu fakti se nuk dha shumë shpjegime. Halilaj nisi të shpjegojë marrëveshjen për marrjen e kredisë prej 23 mln eurosh, e cila do të përdoret për projektin ujëmbledhës dhe kanaleve kulluese.
Por Fino sërish mori rolin e opozitarit.
“23 milionëshin që do kalojmë sot ju e keni ndarë në dy kategori, punime civile, mallra, shërbime… pjesa tjetër shkronja b. Kjo është llokma më e madhe e këtij 23 milionëshi. Më e lezetshmja është se ministria juaj do të paguajë TVSH dhe kjo do të ketë një kosto lokale të përgjithshme 4.6 milionë euro”, tha Fino, ndërkohë që Halialj nisi sërish shpjegimet, por Fino ndërhyn: “Sa e ke koston tani, mos u tall me ne”.
Halilaj e sqaroi duke i thënë se nuk ka kosto për bashkitë. Më pas Fino kërkoi që ministria duhet të vijë në Kuvend me projekte të detajuara, pasi kreditë që po merr do jenë borxh edhe për fëmijët e shqiptarëve.