Një incident është regjistruar paraditen e kësaj të diele në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, teksa një pedagogu të “Lëvizjes për Universitetin” nuk i është lejuar të flasë.
Atij i është rrëmbyer mikrofoni, ndërkohë që disa studentë kanë kërkuar largimin e tij, ndërsa të tjerë pretendojnë se ai po censurohet, pavarësisht se ka mbrojtur gjithmonë të drejtat e studentëve.
Studentë të ndryshëm janë përpjekur të flasin për mediet e pranishme që po raportojnë mbi situatën, duke kërkuar largimin e përçarësve mes tyre, duke kërkuar që lëvizje, formacione apo grupime politike, të identifikuara më herët nën sigla të ndryshme politike të largohen. Sipas tyre, kërkesat e tyre janë thjesht ekonomike dhe sociale, kushte më të mira në konvikte etj.
Ndërkohë, disa mbështetës të pedagogut Jani Marka, i Departamentit të Biologjisë në Universitetin e Tiranës dhe pjesë e “Lëvizjes për Universitetin” kanë thënë se po tentohet të shuhet zëri i pedagogëve që mbështesin kauzën studentore.
Studentët thanë se pedagogu është njëri i Arlind Qorrit dhe se foton e tij e kanë parë në media si njeri i lëvizjes Mjaft. ‘Nuk duam komunistë të Organizatës Politike,” thanë ata.