Kjo e sotmja në Elbasan mund të quhet ndër mbledhjet më të zgjeruara të qeverisë. Edhe pse informale, dhe tërësisht jashtë vëmendjes mediatike, Rama ka zgjedhur që këtë të diel të bëjë bashkë ministrat e shkarkuar dhe ata që do t’i zëvendësojnë.
Burimet i thane A2 Cnn se mbledhja e nisur në orën 9 , dhe që pritet të zgjasë deri në orët e pasdites, është hapur me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Dhe sipas agjendës, mësohet se pas tij do të flasin me radhë të gjithë ministrat e shkarkuar.
Raportimi i tyre do të ndahet sipas dikastereve, dhe më pas pritet t’i lenë stafetën ministrave të rinj. Të njëjtat burime shtojnë se ne fokus do të jetë çfarë është arritur, dhe çfarë duhet bërë ende me shumë për këtë vit, kur qeverinë e presin dy sfida të rëndësishme.
Qershori do të kërkojë angazhimin maksimal, ndaj kryesocialisti do ta kërkojë këtë nga të vetët. Së pari për procesin e çeljes së negociatave, kur Shqipëria është me sytë nga Brukseli, dhe së dyti për zgjedhjet e fund qershorit.
Objektivat Rama do tua bëjë të qarta edhe kabinetit të ri qeveritar, që në këtë “retreat”, vjen me ministra të dubluar… disa gati për ikje, të tjerë në ardhje…
Mbledhjes informale i janë bashkuar dhe kreu i kuvendit Gramoz Ruci dhe kreu i grupit te Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ndërkohë, një grup qytetarësh është mbledhur disa dhjetëra metra nga godina ku zhvillohet mbledhja qeveritare, duke thirrur herë pas here slogane kundër kryeministrit.
Protestës i është bashkuar deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, që ka deklaruar se qytetarë janë mbledhur në mënyrë spontane, për të protestuar për Qeverinë dhe kushtet e Elbasanit që sipas ti “po kontaminon qytetarët e tij”.