Kristiano Ronaldo dhe Zhoze Murinjo nuk do të marrin pjesë të hënën në ceremoninë e dorëzimit të “Topit të Artë”, e cila do të zhvillohet në Kongresshaus të Zyrihut. Vendim tejet i çuditshëm ku duke qenë se sulmuesi portugez është një ndër tre futbollistët finalistë në garë për trofeun së bashku me futbollistët e Barcelonës Ksavi dhe Lionel Mesi, ndërsa tekniku i madrilenëve është pretendent për çmimin e trajnerit më të mirë së bashku me Pep Guardiolën e Barcelonës dhe Aleks Ferguson të Mançester Junajtid. FIFA e bëri të ditur lajmin pasi kishte marrë një komunikatë nga klubi spanjoll.“Trajneri dhe futbollistët që janë në listën e kandidatëve në çmimet për kategoritë e ndryshme nuk do të mund të jenë prezentë në ceremoninë e “Topit të Artë””, – deklaroi një nga zëdhënësit e federatës për agjensinë e lajmeve DPA. Vendimi i Realit të Madridit , zyrtarisht justifikohet nga klubi madrilen me sfidën e Kupës së Mbretit e cila është në program të martën në 10 janar. Formacioni i drejtuar nga Murinjo do të jetë në fakt i impenjuar në Malaga për ndeshjen e kthimit të një të tetave pasi fitoi me përmbysje 3-2 në ndeshjen e parë. Rrjedhimisht në Zyrih nuk do të mund të jenë prezentë as Iker Kasijas, Serxho Ramos e Ksabi Alonso, të gjithë në listë për një vend në formacionin më të mirë të vitit. Reali i Madridit do të prezantohet në ceremoni vetëm nga drejtuesit Emilio Butragenj dhe Zinedin Zidan. Mungesa e Murinjos dhe Ronaldos edhe pse justifikohet me ndeshjen e Kupës së Mbretit, lë shteg për aludime nga më të ndryshmet, duke filluar nga xhelozia e mundshme për rivalët katalanas të Barcelonës e lidhur kjo ndoshta dhe me njohjen paraprake të verdiktit të votuesve ku me shumë gjasa çmimet do të ngjyrosen në blaugrana.